Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë. Ajo ka thënë se Thaçi ishte me ‘‘kokën lart, shpirtin e pathyer, sytë që nuk i shmangen askujt dhe asgjëje’’.
Çitaku ka shkruar edhe se, kjo nuk është habi për të, pasi që Thaçi dhe ish-krerët e UÇK’së nuk ‘’janë të rëndomtë’’, pasi që, siç ka thënë deputetja e PDK-së ndër tjerash ‘‘të rëndomtit nuk ndërtojnë shtet nga hiçi, duke i dhënë popullit të vet lirinë dhe një të ardhme të sigurt’’.
‘‘Ata sot janë në paraburgim, por nuk janë të robëruar. Sepse muret nuk e ndalin dot frymën e lirë. Sepse e vërteta ecën më shpejt se çdo vendim gjykate. Dhe sepse liria, si dielli, nuk ndalet nga retë, ajo gjithmonë gjen çarjen për të shpërthyer në dritë’’, ka shkruar mes tjerash ajo.
Postimi:
Edhe sot, si shumë herë të tjera, në Hagë, pranë çlirimtarëve tanë.
Aty ku koha duket se ecën më ngadalë, por dinjiteti i tyre rritet çdo ditë. E takova Presidentin Thaçi. E pyeta për shokët. Është gjithmonë e njëjta histori: kokën lart, shpirtin e pathyer, sytë që nuk i shmangen askujt dhe asgjëje.
Për mua, kjo nuk është as habi e as surprizë. Sepse ata nuk janë të rëndomtë. Të rëndomtit nuk e kalojnë kufirin në këmbë me vetëm një çantë mbi supe dhe një ideal në zemër. Të rëndomtit nuk e nisin luftën kur e dinë se përballë kanë një makineri lufte shumëfish më të madhe. Të rëndomtit nuk ndërtojnë shtet nga hiçi, duke i dhënë popullit të vet lirinë dhe një të ardhme të sigurt.
Dhe jo, kjo nuk është punë fati. Fatin e tyre nuk ua dhuroi askush, ata e shkruan vetë, me zgjedhje të guximshme, të rënda si plumbi, por të drejta e të bardha si drita.
Edhe këtu, në Hagë, asnjëri prej tyre nuk sillet me mentalitetin e viktimës. Përkundrazi, qëndrojnë si burrat që janë: me vetëdije të pastër dhe krenarë, duke u përballur me sfidën e fundit po aq dinjitetshëm sa me betejat e para.
Sepse për ta, liria nuk ishte fjalë, por gjak. Nuk ishte privilegj, por detyrë. Dhe për të, ata dhanë gjithçka. Po vazhdojnë të japin, duke mos mundur t’u hedhin as një grusht dhe mbi varret e prindërve që i patën mallë gjithë jetën.
Ata sot janë në paraburgim, por nuk janë të robëruar. Sepse muret nuk e ndalin dot frymën e lirë. Sepse e vërteta ecën më shpejt se çdo vendim gjykate. Dhe sepse liria, si dielli, nuk ndalet nga retë, ajo gjithmonë gjen çarjen për të shpërthyer në dritë.
Andaj PO, Dielli do të lind përsëri! ☀️🙏