Nënkryetarja e Kuvendit nga PDK, Vlora Çitaku, i ka reaguar përfaqësuesit të VV’së në KQZ, Alban Krasniqi, për deklaratat e tij dje kundër gjyqtarëve e ambasadorëve.
Ajo i ka thënë Krasniqit që të ketë kujdes se si flet dhe kujt i drejtohet si zyrtar i KQZ’së.
“Vargut t’zyrtarëve t’dëshpëruar t’VV-së iu paska bashku edhe Alban Krasniqi, bashkëshort i ish-ministres e sot nënkryetares së Kuvendit, por edhe si “gjyqtar” i vetëshpallun i gjithçkaje. Alban, të paktën si zyrtar i KQZ-së, kujdes qysh flet e kujt i drejtohesh. Urrejtja pa fakte s’është më diskurs politik, është thirrje për telashe. E dijmë të gjithë: lirinë e Kosovës e ka sjellë UÇK-ja dhe pjekuria politike e liderëve të asaj kohe, bashkë me mbështetjen e miqve tanë ndërkombëtarë, jo sharjet tuaja. Pozitat dhe pagat që merrni sot janë fryt i asaj aleance, jo i ndonjë “merite” tjetër.”
Çitaku ka shtuar se presioni e shantazhi publik ndaj gjyqtarëve me emra e mbiemra është poshtëruese dhe barazohet me thirrje për dhunë.
“Edhe ma keq, presioni e shantazhi publik ndaj gjyqtarëve të Kosovës, me emra e mbiemra, është poshtëruese dhe barazohet me thirrje për dhunë. Nuk i shkon askujt, e sidomos jo dikujt që e ka obligim të ruaj institucionet e vendit.”
Ajo ka thënë se në katër vjet është parë kush me kë ka bashkëpunuar.
“E për Listën Serbe, boll e kemi pa kush me kë ka bashkëpunu katër vjet, ditë e natë. CV-ja e juaj flet vetë, ma fort se fjalimet dhe leksionet e vonshme dramatike, me gjoja substancë patriotike. Jeni vonë. Jeni gabim. Jeni dështim. Me diskurs. Me qëndrime. Me arritje.”