Çitaku: Komentet për deklaratat e zyrtarëve amerikanë duhet të bëhen me shumë kujdes - Gazeta Express
string(83) "citaku-komentet-per-deklaratat-e-zyrtareve-amerikane-duhet-te-behen-me-shume-kujdes"

Lajme

Gazeta Express

16/07/2025 10:26

Çitaku: Komentet për deklaratat e zyrtarëve amerikanë duhet të bëhen me shumë kujdes

Lajme

Gazeta Express

16/07/2025 10:26

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, duke komentuar deklaratat e presidentes Vjosa Osmani dhe reagimin ndaj saj të zyrtarit amerikan, Richard Grenell, tha se zyrtarët e Kosovës duhet të përmbahen nga komentimi publik i deklaratave të zyrtarëve të lartë amerikanë.

Çitaku në intervistë për Ekonomia Online tha se çfarëdo lloj pikëpyetjeje duhet të ngrihet në takim të mbyllur.

“Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, po edhe ne si zyrtarë të zgjedhur, si deputetë të zgjedhur, si përfaqësues politikë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe shumë të vëmendshëm në komunikimin tonë publik dhe të përmbahemi nga komentimi i deklaratave të zyrtarëve të lartë të SHBA-së. Çfarëdo lloj pikëpyetjeje, çfarëdo lloj dileme duhet të ngrihet në diskrecion, në takim të mbyllur, sepse vetëm kështu mund ta ruajmë dhe mund ta kursejmë njëri-tjetrin”, tha Çitaku.

Ajo vlerësoi trashëgiminë e ish-presidentit amerikan Donald Trump si shumë pozitive për Ballkanin Perëndimor, duke përmendur përveç Marrëveshjes së Uashingtonit edhe anëtarësimin e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO. Megjithatë, Çitaku tha se komentet për deklaratat e zyrtarëve amerikanë duhet të bëhen me shumë kujdes.

“Duhet thënë që trashëgimia e Presidentit Trump gjatë administratës së tij të parë në Ballkanin Perëndimor është jashtëzakonisht pozitive përtej Marrëveshjes së Uashingtonit të dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë. Kemi pasur edhe anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, një varg iniciativash të cilat kanë sjellë më shumë stabilitet në Evropën Juglindore në përgjithësi dhe në Ballkanin Perëndimor në veçanti. Mirëpo, ne duhet të jemi jashtëzakonisht të matur kur synojmë që të komentojmë apo të sqarojmë deklarata të zyrtarëve të kartës së SHBA-së. Ky është një luks që jo vetëm Kosova, por edhe shtete shumë më të mëdha dhe më të fuqishme se ne nuk e kanë. Çfarëdo lloj dileme, paqartësie duhet të trajtohet në kanale diplomatike dhe në diskrecion të plotë”, ka shtuar ajo.

Çitaku përmend mungesën e vizitave zyrtare të nivelit të lartë të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, si tregues i qasjes së dobët të kësaj qeverie në raport me aleatët strategjikë të Kosovës.

“Unë kam shërbyer në SHBA për shtatë vjet dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që të kalojë vit pa ndonjë vizitë të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë. Tash kanë kaluar më shumë se pesë vjet dhe nuk kemi pasur asnjë zyrtar të lartë të institucioneve të Kosovës në Zyrën Ovale dhe në Shtëpinë e Bardhë, as gjatë kohës së presidentit Biden, i cili ka qenë një mik i përkushtuar i Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, e as në kohën e administratës së re të Trumpit, që na lë të nënkuptojmë që problemi nuk është në Uashington, por problemi është te qasja joprofesionale dhe aventuriere, me të cilën Kurti dhe kjo kastë qeverisëse i është qasur aleancave më strategjike të Kosovës”, tha deputetja e PDK-së.