Vlora Çitaku, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se kjo e fundit e ka shndërruar në cirk Kuvendin dhe se e njëjta po tallet me qytetarët, gjë e cila është e turpshme dhe e dhimbshme, shkruan Gazeta Express.
Deputetja ka thënë edhe se për shumë kënd Kuvendi s’është vetëm ndërtesë por është emocion, përgjegjësi dhe nder.
Po ashtu, Çitaku ka komentuar edhe situatën kur sot në Kuvend, kryetarit të kësaj partie, Memli Krasniqit, i është ndërprerë fjala, duke thënë se Avni Dehari, kryesuesi i seancës, ia ndërpreu fjalën nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë, por jo edhe përfaqësuesit të Listës Serbe.
Postimi:
Për shumë prej nesh, Kuvendi nuk është thjesht një ndërtesë. Nuk është thjesht një sallë ku shkojmë, ulemi, ngremë dorën dhe në fund të muajit marrim një pagë.
Për mua, Kuvendi është vendi ku kam nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë. Është vendi ku kemi miratuar Kushtetutën, ku kemi themeluar Ushtrinë e Kosovës.
Për shumë prej nesh, ai vend është emocion, përgjegjësi dhe nder.
Është jo vetëm e dhimbshme, por edhe e turpshme të shohësh sesi një grupacion politik po e shndërron Kuvendin në një cirk, si po tallen me të dhe me qytetarët që na kanë besuar votën për t’i përfaqësuar me dinjitet dhe për të marrë vendime me peshë.
Madje sot, Kryesuesi i Kuvendit ia ndali fjalën Kryetarit të PDK-së dhe nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë, z. Memli Krasniqi, ndërkohë që fjalën nuk ia ndali përfaqësuesit të Listës Serbe.
Sinqerisht, për turp. /GazetaExpress