Cirk politik përballë Serbisë - Gazeta Express
string(29) "cirk-politik-perballe-serbise"

Gazeta Express

06/03/2020 15:39

Cirk politik përballë Serbisë

Gazeta Express

06/03/2020 15:39

Në kohën kur lypset unitet jo vetëm politik në Kosovë, Hashim Thaçi nuk bashkëpunon me Albin Kurtin, e ky nuk pajtohet me Isa Mustafën. Ramush Haradinaj nuk pajtohet me asnjërin. Cirku politik vazhdon, e Serbia përfiton. Beteja nuk duhet zhvilluar as ndaj njëri-tjetrit, as ndaj Washingtonit, por ndaj Beogradit

Imer Mushkolaj 

Lexo Edhe:

Mosdurueshmëri, inate, etiketime e akuza ndaj njëri-tjetrit po e karakterizojnë skenën politike kosovare muajt e fundit. Jo se ka qenë shumë më mirë në të kaluarën, por kjo po ndodh në një situatë mjaft të ndjeshme për vendin. 

Përderisa presidenti Hashim Thaçi po vazhdon të injorojë kërkesat e kryeministrit për koordinim dhe bashkëpunim në çëshje të dialogut, Albin Kurti po vazhdon t’ua bëjë të qartë qendrave vendimmarrëse nëpërnmjet letrave se ai, e jo Thaçi, është autoriteti kryesor me të cilin duhet biseduar. 

Në gjithë këtë lëmsh, koalicioni qeverisës nuk është unik karshi çështjes së heqjes së taksës, duke shtuar kështu konfuzionin sa i përket pozitës së shtetit të Kosovës në proceset e ardhshme.  

Përderisa Albin Kurti dhe Vetëvendosje paralajmërojnë heqjen shkallë-shkallë dhe me kushte të taksës, Isa Mustafa e LDK kërkojnë që ajo të hiqet menjëherë dhe pa kushte. Nga gjithë kjo situatë fituese del Serbia, e cila nuk po e ndal fushatën e tërheqjes së njohjeve të Kosovës shtet. 

Secilit shtet që saboton shtetësinë e tjetrit do t’i vinte përshtati një situatë e tillë. Tingëllon e dhimbshme, por e vërteta është se Serbia do të vazhdojë ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë mungesën e unitetit politik dhe shoqëror në Kosovë. 

Në Beograd situata është ndryshe. Përballë një opozite të dobët e të ndarë, Aleksandër Vuçiq ka thuajse pushtet absolut dhe nuk e ka të vështirë të vendos çfarëdoqoftë në raport me Kosovën. E në Kosovë zhvillohet betejë për primat. Gjykata Kushtetuese i ka qartësuar kompetencat që i ka kryeministri në dialog, por edhe presidenti i ka përgjegjësitë e veta.  

* * * 

Në vend se të harxhojë energji duke u marrë me problemet e shumta brenda vendit, Albin Kurti po harxhon energji duke provuar të shpjegojë se ai është personi që duhet të udhëheq dialogun. Në këtë mënyrë ai po përpiqet ta shmang Thaçin nga procesi, edhe pse një gjë e tillë duket e pamundur. Qasja e Kurtit ndaj taksës nuk është thjesht qasje ndaj dialogut dhe drojë nga arritja e shpejtë e marrëveshjes me Serbinë, por është betejë për të dalë i pari. 

Edhe pse ende zyrtarisht nuk është prezantuar as formati i dialogut të ardhshëm me Serbinë, e as ndonjë kornizë për arritjen e marrëveshjes, është e rëndësishme që përfaqësuesit institucionalë e, pse jo, gjithë spektri politik kosovar të flasë me një gjuhë. 

Në të gjitha rastet e kaluara uniteti në çështjet nacionale është treguar i suksesshëm. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë kurrfarë formule tjetër, e cila do të çonte në çorientim dhe dobësim të pozicionit kosovar në negociata. 

Palët politike në vend mund të jenë rivalë politikë, por nuk janë armiq. E ardhmja e Kosovës është e rëndësishme për secilin qytetar, andaj është absurde që politika të mos mund të merret vesh, thua se bëhet fjalë për çështje të çmimeve të perimeve në pazar, e jo për një çështje fort të rëndësishme për vendin dhe qytetarët. Përtej inateve e rivalitetit politik duhet të mbretërojë fryma e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, në mënyrë që pozicioni i Kosovës të jetë një dhe unik. Të mos jetë as pozicion i Hashim Thaçit, as i Albibn Kurtit, por pozicion i shtetit tëKosovës. Në këtë mënyrë edhe aleatëve ndërkombëtarë iu dërgohet sinjal i qartë dhe nuk iu lihet hapësirë pandehmave e spekulimeve të ndryshme. 

* * * 

Beteja e klasës politikë kosovare nuk duhet të jetë betejë e fajësimit ose shfajësimit për marrëveshjen që do të arrihet. Nuk duhet të jetë betejë e patriotëve dhe tradhtarëve. Duhet të jetë betejë që Kosova të dalë sa më mirë nga marrëveshja, të cilën amerikanët po e kërkojnë me ngulm.  

Dhe, kur jemi te amerikanët, qasja e përfaqësuesve të institucioneve nuk duhet të jetë individuale, karshi ndonjë emri të përveçëm. Qëndrimet e shprehura nga emisarët amerikanë nuk janë qëndrime personale, por të adminisratës shtetërore.  

Çdo qasje kryeneçe dhe joreale karshi kërkesave të SHBA’ve është e gabueshme. Pa kontributin serioz të amerikanëve, problemet ndërmjet Kosovës e Serbisë është e pamundur të zgjidhen. Natyrisht, rol të rëndësishëm luan edhe Bashkimi Europian, por zyrtarët e këtij unioni kanë dështuar për gati një dekadë të sjellin paqe ndërmjet të dyja vendeve. Për më tepër, BE e ka lënë Kosovën të izoluar, duke mos ua mundësuar qytetarëve të saj as lëvizjen e lirë, ashtu si të tjerëve në rajon. 

Raportet e mira dhe koordinimi me SHBA’të nuk kanë alternativë. Beteja nuk duhet zhvilluar as ndaj njëri-tjetrit, as ndaj Washingtonit, por ndaj Beogradit. Sa më shpejt që kjo të kuptohet, aq më mirë.