Në emisionin Pressing në T7 po diskutohet për reagimin e parë të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, pas intervistimit të djeshëm nga Prokuroria Speciale, për rreth 5 orë, në cilësinë e të dyshuarit. Ai dyshohet se pa ankand publik, ia ka dhënë kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” me qira për 20 vjet impiantin publik për mbetjet shtazore.
Baton Haxhiu thotë se njëra nga mënyra qysh mbrohet fajësia është edhe gjuha religjioze, sic e përmend rastin e Pecit, i cili në fund të reagimit të tij tha “Kosova, si vend i bekuar ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot!”.
“Janë dy mënyra qysh mbrohet fajësia, së paku qysh unë i kam vërejtur, njëra prej tyre është kjo, kur gjuha religjioze mundohet ta amnistojë dikë për veprimet kriminale apo abuzive, dhe tjetra është kur ndërton fjalor, maskara, kriminel, matrapazë, e cila është edhe një formë e sulmit për ta mbrojtur pafuqinë apo dështimin. VV-ja ka ardh në këtë pikë, në njërën anë përdor fjalor brutal të sulmit kundër tjerëve dhe gjithashtu kur mbrohen, krijojnë zotin si para 10 mijë vjete, zotin e tyre, që është dikun që ata do ti mbrojë nga të pafetë apo nga ata që i sulmojnë”, tha Haxhiu.