Pas një tjetër paraqitjeje të shkëlqyer në derbin e Milanos, lind sërish pyetja: cili është sekreti i “rinisë së dytë” të Luka Modriç?
Në moshën 40-vjeçare, mesfushori kroat vazhdon të vrapojë gjatë gjithë ndeshjes, të bëjë presion dhe ta drejtojë lojën si pak futbollistë të tjerë.
Një jetëgjatësi që nuk është rastësi, por rezultat i një pune të saktë të ndërtuar ndër vite, shkruan “Gazeta Express”.
Pas këtij suksesi qëndron edhe profesori kroat Vlatko Vučetić, përgatitës fizik i njohur si “profesori i shiritave elastikë”.
Marrëdhënia mes tij dhe Modriç nisi më shumë se dhjetë vjet më parë, kur futbollisti e vizitoi qendrën diagnostike sportive të Fakultetit të Kinesiologjisë në Zagreb, që drejtohej nga Vučetić.
Në atë kohë, ish-futbollisti i Tottenhamit dhe Real Madridit e kishte një problem të qartë: arrinte të luante me intensitet të lartë vetëm për rreth 65 minuta.
Sot, në moshën 40-vjeçare, ai vazhdon të vrapojë për 90 minuta dhe edhe gjatë minutave shtesë, një ndryshim që lidhet drejtpërdrejt me programin e ri të përgatitjes fizike.
Thelbi i metodës është i ashtuquajturi “micro-dosing” i stërvitjes: doza të vogla ushtrimesh të shpërndara gjatë gjithë ditës, shpesh duke përdorur shirita elastikë.
Programi ndahet në disa momente: një pjesë në mëngjes, një para stërvitjes, një pas stërvitjes dhe ndonjëherë edhe në mbrëmje.
Rreth 80% e punës bëhet pikërisht me shiritat elastikë, që përmirësojnë forcën, elasticitetin dhe parandalojnë dëmtimet.
Kjo rutinë është bërë pjesë e përditshme e jetës së Modriç dhe ndiqet pothuajse çdo ditë të vitit.
Kur e filloi këtë metodë, kroati e kishte një synim të qartë: të luante deri në moshën 36 vjeçare.
Sot ai është 40 dhe vazhdon të jetë protagonist në nivelet më të larta.
Sekreti, sipas përgatitësit të tij, është pikërisht përgatitja parandaluese e përditshme: sa kohë që lojtari vazhdon të punojë me përkushtim dhe motivim, ai mund të mbetet konkurrues edhe në moshë shumë të avancuar për futbollin profesionist. /Gazeta Express