Cilat janë përfitimet nga heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës? - Gazeta Express
string(62) "cilat-jane-perfitimet-nga-heqja-e-masave-te-be-se-ndaj-kosoves"

Lajme

Gazeta Express

19/03/2026 15:09

Cilat janë përfitimet nga heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës?

Lajme

Gazeta Express

19/03/2026 15:09

Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia vendosi Kosovës në qershorin e vitit 2023, u hoqën përfundimisht vetëm në mars të këtij viti, ani pse drita e gjelbër u dha në fund të dhjetorit të vitit 2025. Kosova ka insistuar për kohë të gjatë se masat ishin të padrejta dhe që i kishte plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e tyre. Kush saktësisht ua sheh hairin fondeve evropiane për Kosovën?

Pas gati tre vjetëve, Kosovës nuk i rëndon më pesha e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia vendosi për shkak të tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Lajm edhe më i mirë është se përfituesit më të mëdhenj janë qytetarët e Kosovës, pasi lëshimi i fondeve pritet të ndikojë, mes tjerash, edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Autoritetet në Kosovë i kanë cilësuar masat vazhdimisht si të padrejta, pasi deklaronin me bindje se i kishin plotësuar kohë më parë kërkesat e BE-së për heqjen e tyre: uljen e tensioneve dhe zvogëlimin e pranisë policore afër objekteve të katër komunave në veri të Kosovës.

Masat patën kosto të konsiderueshme financiare për Kosovën, pasi u pezulluan apo u shtynë projekte të ndryshme në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA II dhe III), si dhe Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Përfitimet kryesore

Njomza Arifi, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Ligjore dhe Politike (GLPS), thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se në dhjetor të vitit 2025 u liruan 216 milionë euro që lidheshin kryesisht me arsimin, sikurse është skema e bursave Young Cell dhe projekte infrastrukturore e mjedisore.

Young Cell ofron bursa për të rinjtë që dëshirojnë të studiojnë në vendet evropiane. Këtë muaj, kjo skemë përmbylli aplikimin për 37 bursa të plota pasuniversitare. BE-ja i ka ndarë 3 milionë euro, ndërsa Kosova 1 milion shtesë.

Te projektet infrastrukturore përfshihet ndarja e 12 milionë eurove për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në termocentralin Kosovën B, mbështetja për ngrohjen qendrore me 17.6 milionë euro si dhe projekte të tjera.

“Pjesa e mbetur prej 205 milionë eurosh që u lirua këto ditë përfshin kryesisht fonde të IPA-s dhe të WBIF-it dhe do të programohen për të mbështetur reforma të ndryshme që ndërlidhen kryesisht me fushat thelbësore siç janë sundimi i ligjit, qeverisja e mirë, zhvillimi ekonomik, dhe arsimi”, thotë Arifi për REL-in.

Për Rrona Zhurin, koordinatore e hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara – GAP, heqja e masave mundëson rikthimin e normalitetit në raportet me BE-në.

“Lirimi i fondeve pritet të ketë një ndikim të gjerë pozitiv në disa dimensione të zhvillimit. Në aspektin ekonomik dhe të punësimit, rifillimi i projekteve kapitale dhe investimeve pritet të gjenerojë vende të reja pune dhe të rrisë aktivitetin ekonomik në vend. Njëkohësisht, në fushën e shërbimeve publike, sektorë si energjia, mjedisi dhe infrastruktura do të përfitojnë drejtpërdrejt, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët”, thotë Zhuri.

Sipas saj, ndikimi i lirimit të fondeve shtrihet edhe në reformat strukturore, pasi fondet e Bashkimit Evropian zakonisht lidhen me kushte të caktuara reformash, duke nxitur përparim në fusha të rëndësishme sikurse sundimi i ligjit, administrata publike dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

E, Arifi beson se pikërisht këto reforma e përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve.

“Prandaj përfitues të këtyre fondeve natyrisht që janë qytetarët e Kosovës, në përgjithësi. Si të tilla, ndihmojnë vendin për të shënuar progres në rrugën evropiane, duke mbështetur procese reformuese që ndërlidhen ngushtë me parakushtet për anëtarësim në BE”, thotë ajo.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Aplikimi që ka bërë vendi më 2022, nuk është shqyrtuar ende nga institucionet e bllokut evropian.

Pasojat e masave

Përveç bllokimit të fondeve, masat e prekën edhe aspektin politik, meqë pati kufizime të takimeve dypalëshe të nivelit të lartë dhe në nivelin e nënkomiteteve të lidhura me Marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit, marrëveshjen e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.

Megjithatë, Brukseli ka sinjalizuar se synon riangazhim të plotë me autoritetet në Kosovë.

Arifi beson se kështu do të krijohet momentum i ri në dialogun e ndërsjellë me BE-në, pasi masat patën “ndikim negativ në kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës”.

Edhe Rrona Zhuri beson se masat i humbën shumë mundësi Kosovës.

“Çdo vonesë apo pezullim i projekteve nënkupton shtyrje apo humbje e mundësive për zhvillim, përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, forcim institucional dhe vonesë në procesin e integrimit evropian”.

Sipas një hulumtimi të GAP-it të vitit 2025, masat financiare rezultuan me 613.4 milionë euro projekte të pezulluara apo të shtyra, dhe sektori më i goditur ishte ai i mjedisit me 350 milionë euro.

Sipas njohëseve të këtyre çështjeve, realiteti i ri duhet të shërbejë si shtysë për përparim në fusha që lidhen me integrimin evropian.

“Mbetet shumë e rëndësishme që Kosova ta shfrytëzojë këtë moment pozitiv për t’i përshpejtuar proceset integruese, duke shmangur bllokimet e mëtutjeshme nga krizat e brendshme politike”, porosit mes tjerash Njomza Arifi.

Advertisement
Advertisement
Advertisement