Lojtari i Lecces, Lameck Banda, u rrëzua në minutat e fundit të humbjes 2-1 ndaj Napolit, por raportet nga klubi janë qetësuese për gjendjen e tij.
Sulmuesi i krahut ishte në formacionin titullar të Lecces në ndeshjen e zhvilluar në “Stadio Diego Armando Maradona”.
Skuadra e tij kishte kaluar në avantazh me golin e Jamil Siebert, përpara se Napoli ta përmbyste rezultatin me golat e Rasmus Højlund dhe Matteo Politano.
Në minutat e fundit të ndeshjes së Serie A, trajneri i Napolit Antonio Conte vuri re se Banda kishte vështirësi në frymëmarrje pranë vijës anësore dhe menjëherë lajmëroi stafin mjekësor të Lecces.
Stadiumi u mbulua nga një heshtje e madhe teksa mjekët hynë në fushë për t’i dhënë ndihmën e parë.
Pas disa minutash, lojtari u transportua me barelë drejt një ambulance pranë fushës për kontrolle të mëtejshme.
Sipas “DAZN Italia”, Banda kishte marrë një goditje në gjoks rreth 40 sekonda para se të rrëzohej, çka i shkaktoi mungesë ajri dhe vështirësi në frymëmarrje.
Raportohet se ai nuk e humbi asnjëherë vetëdijen dhe informacionet e para nga stafi mjekësor janë qetësuese për gjendjen e tij./GazetaExpress/