Mesfushori danez pritet të rikthehet në aksion në një nga ligat më të forta të Evropës.
Mesfushori i Danimarkës, Christian Eriksen, sipas raporteve, është shumë pranë nënshkrimit me një klub të ri, disa javë pas largimit nga Manchester United.
Man Utd dhe Eriksen ndanë rrugët kur kontrata e tij skadoi në fund të sezonit të kaluar, duke i dhënë fund qëndrimit trevjeçar në “Old Trafford”.
Eriksen zhvilloi 73 paraqitje në Premier League me “Djajtë e Kuq” dhe u largua me kokën lart, pavarësisht vështirësive të klubit gjatë kohës së tij në Manchester.
Pasi nuk arriti të finalizonte një marrëveshje gjatë merkatos apo para fillimit të sezonit të ri, 33-vjeçari pritet të firmosë me klubin gjerman të Bundesligës, Wolfsburg.
“Superylli danez është bindur të luajë për Wolfsburg, ku Peter Christiansen është drejtues i lartë sportiv,” raporton gazetari Farzam Abolhosseini për Tipsbladet.
“Klubi gjerman ka arritur marrëveshje me futbollistin më të madh danez të kohëve të fundit dhe tashmë mbeten vetëm formalitetet. Një aeroplan fluturoi sot nga Odense për në Braunschweig me Christian Eriksen në bord. Tani e vetmja gjë që mbetet është kontrolli mjekësor dhe nënshkrimi i kontratës.”
Pesha e kontrolleve mjekësore
Kontrolli mjekësor është veçanërisht i rëndësishëm në rastin e Eriksenit. Ish-talenti i Ajax-it ka kaluar kontrolle të rrebëta mjekësore si te Brentford, ashtu edhe te Manchester United pas largimit nga Inter në vitin 2022, por ikja nga Serie A u detyrua për arsye shëndetësore.
Kujtojmë se ai kolapsoi në fushë gjatë një ndeshjeje të Kampionatit Evropian në Kopenhagë më 2021 dhe iu vendos një defibrilator i implantueshëm (ICD), pajisje që aktivizohet nëse ritmi i zemrës kalon nivelet e sigurta. Ky aparat ndalon rrezikun e vdekjes së papritur kardiake, por nuk lejohet të përdoret në Serie A.
Rikthimi i dytë në Angli
Për shkak të kësaj, Eriksen u detyrua të largohej nga Italia më herët sesa parashikohej, duke u rikthyer në Premier League: fillimisht te Brentford dhe më pas duke kaluar te Manchester United në verën e vitit 2022.
Tashmë, i konsideruar një futbollist veteran, me cilësi të jashtëzakonshme teknike që rriten me moshën dhe jo të varura nga shpejtësia apo fuqia, Eriksen ende ka shumë për të dhënë dhe duket një përforcim i përshtatshëm për Bundesligën.
Wolfsburg, që ka në bord edhe ish-futbollistin danez Christiansen, ka grumbulluar katër pikë në dy ndeshjet e para të sezonit 2025/26, duke mposhtur Heidenheim dhe duke barazuar në shtëpi ndaj Mainz-it. /GazetaExpress/
Nga Europa drejt biznesit tënd – nisje çdo javë me 3P Logistics, shpejt, sigurt dhe pa stres! Kur bëhet...