Sipas gazetës spanjolle Sport, Barcelona mund ta shohë yllin e Juventusit, Federico Chiesa, si një alternativë ndaj zgjedhjes së parë Nico Williams.
Trajneri Thiago Motta e bëri të qartë javën e kaluar se “vendimi është marrë” për të shitur Chiesa-n këtë verë, pasi kontrata e tij skadon në qershor 2025 dhe ai nuk është pjesë e planeve të tyre, transmeton Gazeta Express.
Disa klube janë përmendur se mund ta marrin atë për më pak se 20 milionë euro, duke përfshirë Romën, Napolin, Tottenham Hotspur dhe Chelsean, por asnjëra nuk duket e gatshme të bëjë ofertën.
Tani mediumi spanjoll Sport raporton se agjenti i Chiesa-s ka qenë në kontakt për ta ofruar atë te Barcelona si një alternativë në rast se Nico Williams vendos të qëndrojë me Athletic Bilbao.
Kjo mund të jetë një tjetër opsion për italianin, por përsëri duket se nuk kanë nxitim për t’i dhënë një përgjigje të qartë mbi të ardhmen e tij.
Sa më shumë që të zvarritet situata, aq më e mundshme është që Juventusi të detyrohet të ulë më tej çmimin dhe lojtari kërkesat e tij për pagë.
Minimumi që ata mund të marrin për të dhe të mos kenë humbje neto nga blerja e tij origjinale prej 60 milionë euro nga Fiorentina është 15 milionë euro.