Chelsea ka vendosur në listën e transferimeve nëntë lojtarë pas barazimit 0-0 me Crystal Palace, raporton The Telegraph.
Blutë, kampionë të Botërorit të Klubeve këtë verë, synojnë të pakësojnë ndjeshëm madhësinë e skuadrës.
Sipas raportimeve, Chelsea po planifikon shitje ose huazime për:
Raheem Sterling, Nicolas Jackson, Christopher Nkunku, Axel Disasi, Renato Veiga, Carney Chukwuemeka, Ben Chilwell dhe potencialisht Tyrique George gjatë dy javëve të ardhshme.
Sterling, i cili ishte i huazuar te Arsenal sezoni i kaluar, nuk arriti të ndikojë shumë. Chelsea dhe vetë lojtari preferojnë një zgjidhje të përhershme, megjithatë një huazim tjetër nuk përjashtohet. Ai dëshiron të qëndrojë në Premier League dhe, preferon të qendrojë në Londër, por mund të shikojë edhe opsione jashtë vendit nëse shfaqet mundësia e duhur. Fulham është ndër klubet e lidhura me të, ndërsa Sterling ka ende dy vjet kontratë me Chelsea.
Jackson i është thënë se nuk bën pjesë në planet e skuadrës së parë të Maresca. Napoli, pas lëndimit të Romelu Lukaku, mund të jetë i interesuar, ndërsa Aston Villa është klubi i fundit anglez i lidhur me të.
Nkunku ka pasur bisedime me Bayern Munich, por vetëm për huazim, ndërsa Chelsea preferon shitjen e plotë.
Veiga po tërheq interes nga Villarreal, ndërsa Chukwuemeka dëshiron të rikthehet te Borussia Dortmund, ku ishte i huazuar sezonin e kaluar.
The Telegraph raporton gjithashtu se Chelsea pret të arkëtojë rreth 300 milionë £ nga shitjet e lojtarëve deri në fund të merkatos, duke e çuar shpenzimin net të klubit afër zero. /GazetaExpress/