Chelsea i ka dhënë leje Borussia Dortmundit të fluturojë Carney Chukwuemekan dhe Aaron Anselminon në Gjermani për të përfunduar transferimet që do ta çojnë shumën e shitjeve të lojtarëve në “Stamford Bridge” këtë verë përtej 300 milionë eurove.
Chukwuemeka, 21-vjeç, kaloi gjysmën e dytë të sezonit të kaluar në huazim te Dortmundi dhe pritet të nënshkruajë në mënyrë të përhershme për një shumë që shkon deri në rreth 24 milionë paund, me një klauzolë të rëndësishme shitjeje të ardhshme të përfshirë.
Reprezentuesi i Anglisë U20 dëshironte të rikthehej te “Westfalenstadion” pavarësisht interesimit nga RB Leipzig dhe është në proces për të finalizuar rikthimin e tij.
Ky transferim do ta çonte të ardhurën e Chelseat nga shitjet e lojtarëve këtë verë në një shifër rekord për ligën prej 273.4 milionë paund (apo mbi 300 milionë euro) çka pothuajse barazon 277 milionë paundët e shpenzuara për transferimet hyrëse.
UEFA i ka thënë Chelseat se duhet të regjistrojë një bilanc pozitiv transferimesh në këtë merkato në mënyrë që t’u lejohet regjistrimi i blerjeve të reja për Ligën e Kampionëve këtë sezon.
Kjo pason gjobën prej 26.7 milionë paund për shkelje të rregullave të fitimeve të UEFA-s dhe faktin që raporti i kostos së skuadrës – përqindja e të ardhurave që shkon për paga – ishte mbi 80%.
Ndërkohë, Anselmino ka rënë dakord të bashkohet me Dortmundin në formë huazimi njëvjeçar pa asnjë opsion blerjeje të përfshirë.
Mbrojtësit argjentinas iu tha nga trajneri Enzo Maresca se i nevojitej një huazim për të marrë minutat e duhura për zhvillim, për shkak të konkurrencës së madhe për vend në skuadrën e parë të Chelseat.
Megjithatë, ai mbetet pjesë e rëndësishme e planeve të ardhshme në “Stamford Bridge” dhe kalon te Dortmundi për të mbuluar mungesat e fundit për shkak të dëmtimeve të mbrojtësve Niklas Sule, Emre Can dhe Nico Schlotterbeck.
Chukwuemeka ka luajtur 32 ndeshje për Chelsean që prej transferimit nga Aston Villa për 20 milionë paund në vitin 2022, ndërsa Anselmino bëri një paraqitje si zëvendësues në Botërorin e Klubeve pasi u bashkua me londinezët nga Boca Juniors në janar për 15.6 milionë paund.
Chelsea shpreson të nënshkruajë edhe dy lojtarë të tjerë në nëntë ditët e mbetura të merkatos, me mesfushorin e RB Leipzig Xavi Simons dhe anësorin e Manchester United, Alejandro Garnacho, si objektiva.
Sulmuesi Nicolas Jackson, Christopher Nkunku dhe Tyrique George pritet të largohen, ndërsa Chelsea mund të shesë deri në nëntë lojtarë, përfshirë ata që konsiderohen pjesë e “bomb squad”, me Blutë që po shqyrtojnë opsione për Raheem Sterling, Ben Chilëell, Axel Disasi dhe të tjerë./GazetaExpress/