string(40) "chelsea-prane-transferimit-te-liam-delap"

Futboll

Gazeta Express

29/05/2025 21:21

Chelsea pranë transferimit të Liam Delap

Futboll

Gazeta Express

29/05/2025 21:21

Chelsea është shumë afër nënshkrimit me sulmuesin e Ipswich Town, Liam Delap, pasi ka aktivizuar klauzolën e lirimit prej 30 milionë paundësh të vendosur në kontratën e tij.

Manchester United, Everton, Newcastle dhe Nottingham Forest ishin ndër klubet që kishin shfaqur interes serioz për Delap, i cili u bë i disponueshëm për këtë shumë pas rënies së Ipswich nga Premier League. Ndërkohë, Manchester City ruan një klauzolë për rikthimin e tij.

22-vjeçari iu bashkua Ipswich-it nga Manchester City verën e kaluar në një marrëveshje që mund të shkonte deri në 20 milionë paund, dhe këtë muaj ka marrë leje për të biseduar me klubet e interesuara.

“Liam po shqyrton opsionet e tij për sezonin e ardhshëm, gjë që ka të drejtë ta bëjë dhe ne e mbështesim,” u shpreh trajneri i Ipswich, Kieran McKenna, para ndeshjes së fundit të skuadrës së tij në Premier League.

Mësohet se destinacioni i preferuar i Delap është pikërisht Stamford Bridge, megjithatë bisedimet për kushtet personale janë ende në zhvillim.

Chelsea, që fitoi trofeun e UEFA Conference League mbrëmjen e së mërkurës, u kualifikua javën e kaluar për në Ligën e Kampionëve, duke i ofruar Delap mundësinë për të shtuar paraqitjet e tij në këtë kompeticion, pas debutimit me Manchester City në vitin 2022.

Delap realizoi 12 gola në 32 ndeshje si titullar në Premier League për Ipswich gjatë sezonit që sapo përfundoi.

Pas rënies nga liga, pasi përfunduan të 19-tët në renditje, Ipswich ka shfaqur interes për të marrë në huazim sulmuesin e ri të Chelseat, Marc Guiu, si zëvendësues të Delap.

Sulmuesi spanjoll shënoi gjashtë gola në 14 paraqitje për Chelsean këtë sezon, por ka munguar pjesën më të madhe të vitit 2025 për shkak të një lëndimi muskulor. Ai u rikthye si zëvendësues në minutat e fundit të finales së Conference League në Vroclav.