Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje për një takim katërpalësh mes Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe evropianëve, si përgjigje ndaj synimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të ulur në një tryezë presidentët e Ukrainës dhe Rusisë.
“Mendoj se si hap i radhës do të na duhet ndoshta një takim katërpalësh, sepse kur flasim për garanci sigurie, flasim për sigurinë e tërë kontinentit evropian”, tha Macron.
Merz kërkon armëpushim në Ukrainë
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, bëri thirrje për një armëpushim në Ukrainë para samitit të liderëve, duke kundërshtuar kështu thirrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, për të punuar drejt një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
“Unë nuk mund ta imagjinoj që takimi i radhës të zhvillohet pa një armëpushim, prandaj të punojmë në këtë drejtim dhe të përpiqemi të ushtrojmë presion mbi Rusinë”, tha Merz.
Çfarë thanë të tjerët?
Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Rutte, i tha Trumpit se gatishmëria e tij për të marrë pjesë në garancitë e sigurisë përbën “përparim të madh” dhe se “e bën të gjithë ndryshimin”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Von Der Leyen, bëri thirrje për të punuar së bashku për “një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, ndërsa kryeministrja e Italisë, Meloni, e quajti takimin “ditë të rëndësishme dhe fazë të re”.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se beson se ata mund të bëjnë “përparim real” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, veçanërisht sa i përket garancive të sigurisë.
Ai tha se një takim trepalësh është “hapi i arsyeshëm i radhës”.
Me atë takim të mundshëm dhe me garancitë e sigurisë, ky do të ishte hap “historik” përpara, tha ai.
“Po flasim për sigurinë, jo vetëm të Ukrainës, por edhe për sigurinë e Evropës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, prandaj kjo është një çështje shumë e rëndësishme”.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, tha se fakti që ata ishin ulur rreth tryezës ishte shumë domethënës – duke treguar se “ekipi evropian dhe ekipi i Shteteve të Bashkuara po ndihmojnë Ukrainën”.
Ai tha se Finlanda ka kufi të gjatë me Rusinë dhe kishte përjetuar sfidat e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Stubb shtoi se “ne gjetëm një zgjidhje në vitin 1944, dhe jam i bindur se edhe në vitin 2025 do të mund të gjendet një zgjidhje për ta përfunduar luftën agresore të Rusisë dhe për të arritur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”./REL