Shumica e njerëzve përjetojnë herë pas here makthe ose ëndrra shumë të gjalla, sidomos gjatë periudhave me stres, ankth apo ndryshime të mëdha në jetë.
Megjithatë, sipas disa ekspertëve, disa ëndrra të çuditshme, intensive apo shqetësuese mund të jenë edhe një sinjal i hershëm se trupi po zhvillon një sëmundje, madje para se të shfaqen simptomat fizike.
Ëndrrat që paralajmërojnë sëmundjen
Psikologët besojnë se ekzistojnë të ashtuquajturat “ëndrra prodromale” – ëndrra që mund të shfaqen në fazat më të hershme të një sëmundjeje.
Teoria thotë se kur një infeksion ose problem shëndetësor sapo fillon, trupi prodhon sinjale shumë të vogla biologjike. Këto sinjale i tregojnë trurit se diçka nuk është në rregull, edhe pse simptomat ende nuk janë shfaqur.
Gjatë fazës REM të gjumit – periudha kur shohim ëndrra – truri përpunon këto sinjale ndërsa “skanon” trupin për çrregullime të mundshme.
Këto informacione përpunohen në disa zona të trurit që lidhen me emocionet dhe perceptimin e rrezikut, përfshirë amigdalën. Nëse truri zbulon një kërcënim, ai mund ta shprehë atë përmes imazheve simbolike ose shqetësuese në ëndërr.
Si e shpjegojnë studiuesit këtë fenomen
Sipas psikologut Patrick McNamara, i specializuar në studimin e gjumit, truri monitoron vazhdimisht sinjalet që vijnë nga organet e brendshme për të ruajtur ekuilibrin e organizmit.
Gjatë gjumit REM, këto informacione përpunohen dhe përmblidhen në një lloj “fotografie të brendshme” të gjendjes së trupit. Kjo mund të shfaqet në formën e një ëndrre që reflekton shqetësimin e brendshëm.
Lidhja mes ëndrrave dhe sëmundjeve
Ideja se ëndrrat mund të lidhen me shëndetin nuk është e re. Në Greqinë e lashtë, pacientët shkonin në tempuj të veçantë për të fjetur dhe shpresonin të merrnin një “ëndërr shëruese” që do t’i udhëzonte për trajtim.
Sot, disa studime moderne kanë gjetur lidhje interesante mes ëndrrave dhe sëmundjeve.
Për shembull, një studim i vitit 2017 që analizoi më shumë se 1200 persona me një çrregullim të gjumit REM zbuloi se 73 për qind e tyre u diagnostikuan me Parkinson ose demencë brenda 12 vjetësh.
Studime të tjera sugjerojnë se ëndrrat mund të japin sinjale paralajmëruese për probleme të ndryshme shëndetësore, si:
sëmundje të sistemit tretës
probleme të mushkërive
çrregullime gjinekologjike
probleme dentare
artrit
Një studim i vogël në vitin 2015 raportoi gjithashtu se disa gra kishin përjetuar ëndrra të pazakonta dhe shumë të gjalla përpara se të diagnostikoheshin me kancer të gjirit.
Çfarë lloj ëndrrash mund të jenë sinjal?
Sipas studiuesve, disa modele ëndrrash mund të lidhen me sinjale të mundshme të trupit:
agresion i papritur ndaj personit që ëndërron
prania e të huajve meshkuj që duken kërcënues
insekte ose krijesa të tjera shqetësuese
Një studim i vitit 2022 që analizoi mijëra raporte ëndrrash nga persona që më vonë u diagnostikuan me COVID-19 zbuloi se shumë prej tyre kishin parë në ëndrra krimba ose kafshime gjarpri pak ditë para se të rezultonin pozitivë.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto nuk lidhen vetëm me sëmundje serioze. Edhe një ftohje ose grip mund të paraprihet nga ëndrra të pazakonta.
A mund të përdoren ëndrrat në mjekësi?
Për momentin, kjo teori mbetet ende në fazë kërkimore dhe kërkon shumë studime të mëtejshme për t’u konfirmuar.
Megjithatë, disa shkencëtarë mendojnë se në të ardhmen analiza e ëndrrave mund të ndihmojë në fusha të caktuara të shëndetësisë, veçanërisht në monitorimin e personave me rrezik për kriza të rënda të shëndetit mendor.
Disa studime kanë treguar se njerëzit me mendime vetëvrasëse shpesh përjetojnë ëndrra kërcënuese për javë ose muaj para një tentative.
Në të ardhmen, teknologjia mund të përdoret për të regjistruar dhe analizuar ndryshimet në ëndrra, duke paralajmëruar mjekët kur një pacient mund të jetë në rrezik.
Megjithatë, për momentin, studiuesit theksojnë se kjo është vetëm një hipotezë shkencore që kërkon shumë më tepër prova. /GazetaExpress/