string(137) "cfare-thote-dosja-e-prokurorise-ndaj-te-dyshuarit-per-rrahje-te-gjinekologut-veliu-dhe-vendosje-te-granates-ne-hyrje-te-ordinances-se-tij"

Lajme

Gazeta Express

30/05/2025 11:30

Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë ndaj të dyshuarit për rrahje të gjinekologut Veliu dhe vendosje të granatës në hyrje të ordinancës së tij?

Lajme

Gazeta Express

30/05/2025 11:30

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh Burhan Mavriqit, i dyshuar për lëndim të lehtë trupor dhe kanosje ndaj gjinekologut Afrim Veliu.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila tha se masa e paraburgimit ndaj Mavriqit është caktuar pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit, të cilën kjo Prokurori e kishte dorëzuar më 28 maj 2025. Mavriqi dyshohet se fillimisht e rrahu gjinekologun, e katër ditë më pas i vendosi granatë dore në hyrje të ordinandës.

Çka thuhet në Dosjen e Prokurorisë?

Sipas kërkesës, më 20 maj 2025 rreth orës 21:22 minuta në rrugën “Henri Dynant” në Prishtinë, i pandehuri Burhan Mavriqi me dashje i ka shkaktuar dëmtime trupore të dëmtuarit Afrim Veliu.

Aty thuhet se në ditën kritike, derisa i dëmtuari kishte qenë duke hyrë në automjetin e tij, i pandehuri me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore të dëmtuarit, me mjet të fortë të përshtatshëm për të shkaktuar dëmtime të rënda trupore, e godet disa herë në kokë të dëmtuarin Afrim  Veliu, duke i shkaktuar lëndime trupore në pjesën e kokës dhe në trup.

Pas kësaj, thuhet se Mavriqi është larguar në këmbë në drejtim të panjohur, e që pas veprimeve hetimore nga Policia e Kosovës NJHP, është identifikuar i pandehuri.

Prandaj, për këto veprime Mavriqi po dyshohet nga Prokuroria për veprën penale “Lëndim i lehtë rrupor” nga neni 185, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorisë, katër ditë më pas, më 24 maj 2025, i dyshuari Burhan Mavriqi ka vendosur një mjet të rrezikshëm- që dyshohet të jetë granatë dore në hyrje të ordinancës së Veliut.

Sipas Prokurorisë, më datë 24 maj, rreth orës 23:45 në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, i pandehuri Mavriqi, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit ndaj të dëmtuarit Afrim Veliu kishte shkuar në hyrje të ordinancës gjinekologjike të Veliut, i shoqëruar nga një person tani për tani i panjohur, kishte vendosur një mjet të rrezikshëm që dyshohet të jetë granatë dore model F1, e më pas i pandehuri së bashku me personin N.N janë larguar në drejtim të Fushë-Kosovës.

Pas kësaj, thuhet se nga Policia është arritur që të identifikohet i pandehuri Burhan Mavriqi, me ç’rast i pandehuri me veprimet e tij të dëmtuarit Afrim i ka shkaktuar shqetësim të madh, ankth, frikë dhe ndjenjë të pasigurisë.

Për këto veprime, Mavriqi po dyshohet për veprën penale “Kanosje” nga neni 181, par.2  të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi