Deputetja e zgjedhur e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, pas dështimit të konstituimit dje të Kuvendit të Kosovës për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, tha se nuk e kanë të qartë rrugën përpara.
Ajo fillimisht insistoi se e kanë dhënë dorëheqjen para se të certifikoheshin rezultatet nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe tha se tri partitë, PDK, LDK dhe AAK, po duan bllokim të konstitumit të Kuvendit.
“Ne e kemi bërë më 27 mars para certifikimit të zgjedhjeve. KQZ nuk do ta na certifikonte edhe pikë. Kjo çështje mbyllet këtu.
Ajo gjithashtu akuzoi opozitën për ndryshim të deklaratave pasi “e panë dëmin e madh” që e shkaktuan”.
“Ishte e qartë tendenca e tyre për të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, tha Haxhiu mbrëmë në KTV.
Haxhiu tha se letra e paralajmëruar nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, dje për t’ia dërguar presidentes do t’i shkojë sot, por tha se edhe pas kësaj nuk e kanë të qartë se çfarë do të ndodhë meqë rasti “është i paprecedentë”.
“Tanimë jemi në tokë të pashkelur, ndoshta më saktësisht me thënë. Meqënëse në një situatë të tillë nuk e kemi të qartë rrugën, duke marrë parasysh që as Kushtetuta e Kosovës nuk e parasheh një situatë të tillë ku nuk i pranojnë mandatet e tyre ku ndoshta duhet KQZ të mblidhet edhe të thonë që këta s’po i pranojnë mandatet dhe me i zëvendësu me deputetët që kanë vota më së shumti prej këtyre subjekteve politike”, tha Haxhiu, duke shtuar se “nuk dihet rruga përpara”.
Tri partitë opozitare dje thanë se nuk mund të shkelin Kushtetutën, duke votuar pro raportit ku Albin Kurti dhe ministrat tjerë të kabinetit figurojnë si deputetë pa dhënë dorëheqje zyrtarisht siç e parasheh ligji.
Por, Haxhiu po thotë se duke krijuar vonesa, këto tri parti që janë “të përçara” mes vete mund të kenë kohë për t’u bashkuar.
“Këta s’e kanë hallin hiç me këto aspektet ligjore-juridike. Këta e kanë hallin me kryeministrin Kurti. Deklaratat e tyre që “e tash kryeministri Kurti çka po lyp në ndërtesë të qeverisë”. Çka kanë menduar këta, që me bo tradhti ndaj vendit që me lënë shtetin pa qeveri në detyrë apo në dorëheqje, çfarëdo emërtimi…Ka shpresë që përmes vonesave të tilla mund të kenë ndonjë deputet më shumë, mund të bashkohen sepse siç e dini janë të ndarë e të përçarë”./Express/