Çfarë po ndodh me logopedin Iljasa Fazliu, flet mjeku - Gazeta Express
string(52) "cfare-po-ndodh-me-logopedin-iljasa-fazliu-flet-mjeku"

Çfarë po ndodh me logopedin Iljasa Fazliu, flet mjeku

Lajme

Gazeta Express

05/12/2022 10:20

Ende ndodhet i shtrirë në spital logopedi nga Gjilani Iljasa Fazliu, të cilit i është shqiptuar masa e paraburgimit për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”. Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Arsim Emini tha për Gazetën Express se logopedi pritet të lirohet nesër.

Teksa foli për Gazetën Express, doktori Arsim Emini tha se gjendja shëndetësore e logopedit është stabilizuar.

Lexo Edhe:

“Mora informacione prej mjekut te dhomës. Ai është ende këtu, por gjendja është duke u stabilizu dhe i tha se nesër të lirojë. Telashet që i ka pas me tension, tash është mirë, sheqerin e ka pas mbi 20-25, ka fillu mu stabilizu”, tha Emini për Gazetën Express.

Gjykata ka vlerësuar se logopedi Iljasa Fazliu ka përdorë metodë të papërshtatshme për trajtim dhe nuk ka zbatuar rregullat e profesionit të logopedit, “ashtu që gjatë seancës për trajtim të fëmijut të moshës 3 vjeçare, me gjendje të autizmit, ndaj të njëjtës ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe degraduese”.

Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar një muaj paraburgim Iljasa Fazliut dhe dy të dyshuarve tjerë, I. Sh. dhe R. V.

Sipas gjykatës, “ekziston dyshimi bazuar se i pandehuri I. F., me datë 26 nëntor 2022, në intervalin kohor prej orës 10.00-11.00 minuta, në ordinancën private, në cilësinë e mjekut Defektolog –Logoped, haptas ka përdorur metodë të pa përshtatshme për trajtim dhe nuk ka zbatuar rregullat e profesionit të logopedit, ashtu që gjatë seancës për trajtim të fëmijut të moshës 3 vjeçare, me gjendje të autizmit, ndaj të njëjtës ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe degraduese, kështu që i pandehuri me veprimet e tij bie ndesh me nenin 94 paragrafi 4 nënparagrafi 4.4 të Ligjit mbi Shëndetësinë, duke mos iu përmbajtur parimeve etike dhe profesionale gjatë ushtrimit të kujdesit shëndetësor, përmes të cilave ka ndikuar në  keqësimin e gjendjes  shëndetësore të fëmijët”.

Me këto veprime i pandehuri I. F. dyshohet se ka kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa, dy të dyshuarit tjerë ndodhen në paraburgim për rrahjen e logopedit.

Ndërsa, gjykata ka theksuar se “të pandehurit I. Sh. dhe R. V. më datë 26 nëntor 2022, rreth orës 12.52 minuta, në lokalin që ndodhet në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, në bashkëkryerje dhe me përdorimin e atëqasshëm të dhunës, për shkak të trajtimit të pandërgjegjshëm të fëmijut me autizëm, me dashje i kanë shkaktuar lëndime trupore të pandehurit tani të dëmtuarit I. F., ashtu që fillimisht i pandehuri I. Sh., i revoltuar nga sjellja e mjekut ndaj fëmijut, hynë dhe i drejtohet të dëmtuarit duke e fyer me fjalë të ndryshme ofenduese, e më pas e sulmon duke e goditur me grusht në fytyrë dhe në atë moment ndërhyn edhe i  pandehuri R. V., duke e kapur të dëmtuarin për krahu duke e mbajtur nën kontroll, e më pas duke e tërhequr zvarrë për të nxjerrë jashtë lokalit, ku gjatë kësaj tërheqje i dëmtuari rrëzohet për toke dhe të dy të pandehurit e godasin me grushte dhe shkelma në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit”.

Të pandehurit me këto veprime dyshohet të kenë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas doktorit Arism Emini, logopedi i dyshuar për abuzimin e një vajze me autizëm, është shtrirë në spital për shkak të problemeve me hipertension dhe sheqer dhe jo për shkak të lëndimeve fizike. /Gazeta Express