Kandidatja e LVV-së për Presidente, Hatixhe Hoxha, po udhëtonte me autobus pak para se të niste votimi në Kuvend, në një seancë ku morën pjesë vetëm deputetë të mazhorancës. Ajo nuk u lajmërua më, siç paralajmëroi. As Feride Rushiti, kandidatja tjetër e partisë së Albin Kurtit për Presidente, nuk foli, por u pa sot në oborrin e Kuvendit. Partitë opozitare u kërkuan atyre që të tërhiqen dhe të mos bëhen pjesë e asaj që po konsiderohet cenim i rendit kushtetues të vendit.
Gazeta Express
Hatixhe Hoxha, njëra prej dy kandidateve të Lëvizjes Vetëvendosje për Presidente, tha mbrëmë se ishte “në autobus” dhe se do të lajmërohej “më vonë”, por nuk u lajmërua më – as sot.
Ajo nuk mori asnjë votë të deputetëve të LVV-së mbrëmë – as të atyre që dhanë 30 nënshkrimet për kandidaturën e saj – në seancën për zgjedhjen e Presidentit ku qëndruan vetëm deputetë të pushtetit.
Hoxha, ish-kandidate e LVV-së për deputete, nuk tregoi mbrëmë në prononcimin e shkurtër për KosovaPress nëse ishte konsultuar paraprakisht për kandidaturën.
Përveç atyre pak fjalëve pak para se LVV ta niste seancën për zgjedhjen e Presidentit, ajo nuk tha gjë më.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, kandidatja tjetër e LVV-së për Presidente, nuk foli fare. Ajo u pa sot në oborrin e Kuvendit teksa po futej në një veturë.
Rushiti ka qenë e paqasshme për t’iu përgjigjur interesimit të Gazetës Express lidhur me kandidaturën e saj.
Ajo mbrëmë mori 63 vota të deputetëve të LVV-së dhe të disa deputetëve të pakicave. Në sallën me vetëm 64 deputetët e mazhorancës të pranishëm, njëra votë ishte e pavlefshme, ndërsa për Hoxhën nuk votoi askush.
Deputetja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, e cila dje u tërhoq nga kandidatura për Presidente, tha se Rushiti kishte vendosur që “në këtë moment të caktuar” të kontribuonte për zgjidhjen e çështjes së Presidentit.
“Shiqo, zonja Feridi është grua e moshës madhore, një zonjë që asnjëherë nuk është përfshirë në parti politike, por e cila në këtë moment të caktuar dëshiron të kontribuojë. Unë e di që zonja Feride ka pasë edhe një rast të vdekjes. Megjithatë, respekt për të dy kandidatet”, tha ajo në një deklaratë për media në Kuvend.
Partitë opozitare u kanë bërë thirrje dy kandidateve të propozuara nga LVV-ja që të tërhiqen dhe të mos bëhen pjesë e shkeljes së Kushtetutës.
Nënkryetarja e Kuvendit, deputetja e PDK-së Vlora Çitaku, në një konferencë të mbajtur sot në hollin e Kuvendit, i bëri thirrje Feride Rushitit që “të tërhiqet nga kjo lojë politike”.
“Nga zemra i bëj thirrje zonjës së nderuar Feride Rushiti që të tërhiqet nga kjo lojë politike, antikushtetuese e Albin Kurtit, e cila është e dëmshme për shtetin dhe për atë vet. Sinqerisht më vjen keq që ka pranuar të huazojë politikisht emrin e saj për një maskaradë të rrezikshme politike”, tha ajo.
Çitaku tha se PDK-ja e çmon angazhimin e Rushitit në shoqërinë civile, por shtoi se sot “nderi më i madh që mund t’i bëjë vendit është që të largohet nga kjo garë”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha mbrëmë për gazetarët e mbledhur në Kuvend se kryeministri Albin Kurti nuk e ka përmendur asnjëherë emrin e Feride Rushitit si kandidate potenciale për Presidente në takimet që i zhvillonin për këtë çështje.
“Për besë jo asnjëherë, në asnjë moment. Kandidaten e dytë as nuk e njihnim”, tha ai.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha sot se “po suprimohet Kushtetuta e Kosovës” me procedurën që po e ndjek partia në pushtet për zgjedhjen e Presidentit.
“Të gjithë ata që bëhen pjesë e kësaj, përfshirë edhe zonjat në fjalë, kandidate për presidente, do t’i mbulojë turpi tërë jetën. Pra tërë jetën do të mbulohen me turp, pa marrë parasysh si kanë vepruar, çfarë kanë bërë deri më tani – nëse bëhen pjesë e shkeljes së Kushtetutës së vendit, do t’i mbulojë turpi”, tha ai.
LVV-ja nisi e vetme mbrëmë seancën për zgjedhjen e Presidentit, duke zhvilluar një votim, pavarësisht se në sallë nuk ishin 80 deputetë. Kjo, nga njohës të Kushtetutës dhe organizata joqeveritare që merren me drejtësinë, u konsiderua si cenim i rendit kushtetues të vendit.
Deputetët e pushtetit u mblodhën sërish sot në Kuvend për rundin e dytë të votimit për President.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu i ftoi deputetët e opozitës që të marrin pjesë në seancë, pasi sipas saj, ata janë të obliguar të votojnë dhe të mundësojnë zgjedhjen e Presidentit.
Në vazhdimin e seancës sot paradite, ajo fillimisht u dha afat deputetëve opozitarë deri në orën 14:00 që të merrnin pjesë në seancë.
Edhe në vazhdimin tjetër pasdite, Haxhiu përmendi “obligimin” që tha se e kanë deputetët për ta mundësuar zgjedhjen e Presidentit. Seanca u ndërpre për herë të tretë dhe vazhdimi i saj u caktua për në orën 19:00.
Haxhiu e interpreton ndryshe një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të nxjerrur pasi ajo e kishte pyetur për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit që kishte nisur mbrëmjen e 5 marsit, duke pretenduar se deputetët ishin të detyruar të marrin pjesë dhe të votonin.
Në fund të marsit, kur Gjykata Kushtetuese vendosi që deputetët të kenë edhe një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e Presidentit – meqenëse Kuvendi nuk i kishte pasur në dispozicion 60 ditët prej kur duhej të fillonte procedura e deri në ditën kur duhej të përfundonte (30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual) – tha se deputetët s’mund të detyrohen dhe se është “tërësisht në vullnetin” e tyre se çfarë ata konsiderojnë se është “në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës”.
“Së dyti dhe në lidhje mandatin dhe ushtrimin e funksionit të deputetit, Gjykata rikujton që Kushtetuta në nenin 70 [Mandati i Deputetëve] përcakton që deputetët si përfaqësues të zgjedhur të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues, si dhe ka përcaktuar në mënyrë specifike bazat për përfundimin apo humbjen e statusit të deputetit. Po ashtu, bazuar në nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, deputetët marrin përgjegjësinë që mandatin përfaqësues ta ushtrojnë në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në përputhje me kërkesat formale të përcaktuara në Kushtetutë, ligje dhe rregulloren e Kuvendit (shih, rastin KO124/25, cituar më lart, paragrafi 130 dhe 190). Sipas Gjykatës, se çka konsiderojnë deputetët se është në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës në aspekt politik dhe në aspekt të politikave publike, është tërësisht në vullnetin dhe vendimin e deputetëve të Kuvendit. Përderisa respektohet Kushtetuta, çdo zgjedhje e të zgjedhurve dhe njëkohësisht përfaqësuesve të popullit, duhet respektuar dhe Kushtetuta përcakton qartë, që deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues (shih, rastin KO72/20, cituar më lart, paragrafi 357 dhe rastin KO124/25, cituar më lart, paragrafi 181)”, thuhet në pikën 175 të atij aktgjykimi.
Nëse Presidenti nuk zgjidhet deri sonte në mesnatë, Kosova do të duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.