Çfarë nuk të bën proamerikan? - Gazeta Express
string(28) "cfare-nuk-te-ben-proamerikan"

Çfarë nuk të bën proamerikan?

Gazeta Express

10/05/2020 20:28

Fitim Salihu

Në krejt debatin e fundit mbi (mos)rëndësinë e kultivimit të marrëdhënieve të shëndosha me Shtetet e Bashkuara, opinioni ka hasur në gjithçmos: frenezi të pafre, patetizma rrahagjokëse, elozhistë të përhënur dhe slogane butaforike të gdhendura në akull e të kthyera nga dielli. Para së gjithash, ka gëluar orvatja që të përkufizohet se çfarë të bën dhe çfarë nuk të bën proamerikan.

Lexo Edhe:

Maksima e parë u shpreh me qesëndi kundruall disa figurave politike që këmbëngulnin se nuk duhet acaruar marrëdhëniet me ShBA-në: “filani qenka proamerikan, ndërkohë që as nuk di të flas anglisht!” Ta merr mendja që kemi shpallur konkurs për asistentë në Departamentin e Gjuhës Angleze ose për përkthyes simultanë dhe nuk po flasim për politikanë që e kuptojnë rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve me një aleat, falë marrëdhënieve të shëndosha me të cilin ia kemi dalë mbanë edhe atëherë kur na është rrezikuar jeta edhe atëherë kur na është nevojitur njohja. Nuk ke pasur nevojë të kesh kush e di se ç’nivel anglishteje më 2007 për ta kuptuar shprehjen e Bushit “mjaft është mjaft” dhe për mos ta mohuar se po vjen edhe pavarësia edhe njohja e saj nga ShBA-ja. Edhe ata që s’e kanë ditur anglishten, e kishin kuptuar tanimë. Tupani po rrihte për ata që kishin veshë.

Fundja, njohja e anglishtes në vetvete nuk të bën politikan as të mirë e as të keq, as të pastër e as të papastër, as të ndershëm e as të pandershëm. Sipas memoareve të diplomatëve amerikanë të viteve ’90, vështirë të gjeje në Ballkan politikan me nivel më sipëran të anglishtes sesa Slobodan Milosheviqi. Pasi që më 1978 ishte emëruar si drejtor i “Beobankës” – asokohe më të madhes bankë jugosllave – ai pati shumë vizita pune në Nju-Jork ku edhe e përsosi anglishten e tij. T’i njohim tani atij atribute politike vetëm se paska ditur të flas bukur anglisht? I hyri në punë anglishtja për t’u dëshmuar proamerikan kur u fut në luftë amerikanët?

Një nivel më të përparuar anglishteje se ai mbase mund ta ketë pasur vetëm Jorgos Papandreu, ish-kryeministri socialist grek, i cili kishte lindur e ishte rritur në ShBA dhe madje kishte shtetësi të dyfishtë greko-amerikane. Papandreut s’i hyri në punë fare anglishtja për të pranuar që të fliste për çështjen çame ose për njohjen e shtetit të Kosovës. Njëherazi, prima facie nuk më shëmbëllen asnjëri politikan shqiptar me anglishten e rrjedhshme të Fatos Nanos, por ai është shembull i gjallë i një politikani të cilin, afërmendsh, njohja e gjuhës angleze s’ka se si ta amnistojë nga kritikat për abrakadabra politike dhe qeverisje korruptive.

Një maksimë e dytë që ka qarkulluar në zallamahinë mediatike ka qenë ajo që thotë se “nuk je antiamerikan vetëm nëse nuk pajtohesh me Shtëpinë e Bardhë” ose “proamerikan të bën njohja dhe respektimi i kulturës amerikane”. E përçudshme dhe çmeritëse. Politikisht, ShBA-ja është vetë administrata që qeveris në Zyren Ovale. Për gjithsecilin politikan gjithsekund në botë, ShBA-ja është Presidenti i saj, zyrtarët e administratës së tij dhe emisarët e tij. Pavarësisht nëse na pëlqejnë neve ose jo. Është foshnjarake të besosh se proamerikan nuk të bën raporti me kupolën e saj politike, por pasioni yt për kulturën amerikane. Historia rrëfen për shumë diktatorë që kanë pasur afeksion me kulturën amerikane, por që kanë qenë armiq të përbetuar të shtetit amerikan.

Presidenti koreanoverior, Kim Jong Il, i biri i themeluesit të Koresë Veriore dhe babai i liderit aktual, shquhej si njëri nga dashamirët më të mëdhenj të kinematografisë amerikane. Flitet se falë manisë së tij me Hollivudin ai posedonte një koleksion me mbi 30 mijë filma, përfshirë të gjithë fituesit e çmimeve “Oskar”. I biri i tij, Kim Jong Uni, lideri aktual, shquhet për obsesionin e tij me ligën basketbollistike amerikane NBA. Për më tepër, në shkurt 2013 ai do ta mirëpriste personalisht ish-yllin e NBA-së, Denis Rodmanin. Josif Stalini e kalonte një pjesë të kohës duke lexuar letërsi amerikane. Robert Mugabeja, Moamar Gadafi, Sadam Huseini dhe Pol Poti janë disa prej liderëve të apasionuar pas kulturës së pijeve perëndimore – burbonit amerikan, viskit skoç ose konjakut dhe verërave të château-ve franceze. Por, të gjithë këta emra ishin armiqtë më të mëdhenj të politikës së ShBA-së dhe të shteteve perëndimore.

Pra, ndjesitë e fisme për një kulturë s’të bëjnë a priori përkrahës të politikës së atij shteti. Nuk je proamerikan thjesht nëse të pëlqen kultura letrare, kinematografike, kulinare ose sportive e Shteteve të Bashkuara. Përndryshe, proamerikanë do ishin edhe Kim-ët e Koresë, tekqë do të cilësoheshin si prorusë të gjithë që e lexojnë letërsinë e Pushkinit, Tolstojit ose Dostojevskit, të gjithë që e shijojnë muzikën e Çajkovskit, Shostakoviçit ose Stravinskit dhe të gjithë që kënaqen me filmat e Tarkovskit, Eizenshtejnit ose Zvjagincevit. Njënjëshëm, prorus ose antirus të bën raporti yt me Kremlinin dhe jo me krijimtarinë kulturore ruse.

Kosova ka nevojë për politikanë që vis-à-vis punëve të jashtme e kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit me aleatët e mëdhenj – jo vetëm amerikanët, por edhe evropianët. Ne, dashamirët e filmit amerikan, do të vazhdojmë të shkruajmë syzhe për ata filma, folësit më të sojshëm të anglishtes do të bëhen përkthyes të shkëlqyeshëm, porse për politikanët – ndonëse do të ishte mirë t’i kishin – këto dy tipare nuk përbëjnë kurrnjëfarë garance se ata janë kapitenë të pjekur e largpamës për t’i prirë anijes në orientimin e duhur dhe për t’i shmangur përplasjet me ajsbergët.