Çfarë mësimi do të marrim nga pandemia - Gazeta Express
string(38) "cfare-mesimi-do-te-marrim-nga-pandemia"

Çfarë mësimi do të marrim nga pandemia

Arben Idrizi

02/04/2020 15:18

Në përgjithësi janë gjërat që i mësojmë në jetën e përditshme si në gjendje normale ashtu edhe në gjendje ekstreme. Edhe në jetët tona personale, ekzistenca na shtyen drejt gjendjesh të ndryshme, ndonjëherë ekstreme. Secili pastaj merr mësimin e vet, në mënyrën e vet

Shkruan: Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Në të vërtetë është ende herët, sot, më 2 prill, të dihet me ndonjë saktësi se si do të jetë jeta jonë e përditshme menjëherë pas kthimit në “normalitet”, në atë normalitetin e kaluar, të përhershëm – sepse sot normaliteti, i përkohshëm, është ky i izolimit. Sigurisht, ne refuzojmë ta konsiderojmë këtë gjendje një “normalitet të përkohshëm”. Është kundër natyrës sonë ta pranojmë, përveç se si gjendje jonormale; është në natyrën tonë të kundërvihemi.

Fatkeqësisht, por dikujt mund t’i duket jo aq për fat të keq, ne jemi detyruar të përballemi me karantinën duke e pasur mbi supe edhe një zhvillim politik të pabesueshëm: rënien e qeverisë.

Atëherë, a mund të vëmë një lloj basti se cili do të jetë mësimi më i madh që do të nxjerrim?

Dikush do të vërejë se mund të bëjë hesap në ndihmen e njërit fqinj në kohë krizash të tilla, por nuk mund ta paramendonte kurrë se fqinji tjetër, që në kohë normale të krijonte përshtypjen se do të ishte i gatshëm të jepte shpirtin për ty, mund të ishte aq egoist dhe indiferent ndaj të tjerëve.

Njëri mund të zbulojë se mund të dojë përtej realitetit fizik; e tjetri se ka më shumë sukses në atë virtual.

Njëri do ta kuptojë se e ardhmja e tij është tejet e paparishikueshme, vendi i tij i punës mund të humbet sa hap e mbyll sytë; e tjetri, kushedi, me pak shkathtësi dhe me më shumë anim kah e padrejta, të gjejë një mënyrë të shpejtë dhe të lehtë të pasurimit.

Dikush do të mbetet pa prindërit, pa gjyshërit, pa të afërmit pa mundur t’iu qëndrojë pranë, edhe duke qenë krejt pranë, në orët e tyre më të errëta. Dhe në fund, pa mundur as t’i varrosë me ceremonitë dhe nderimet e rëndomta.

Dikush do të dalë pa u lagur fare dhe duke shkuar me mendjen tërë kohës se atë nuk mund ta gjejë asgjë as në zezona të tilla; e tjetri do t’i shtojë masat e kujdesit dhe izolimit përtej të imagjinuarës dhe (ndoshta pikërisht për këtë) prapë do ta pësojë keq, aq sa të rrezikoj të mos ketë çka të mësojë më.

Dikush do ta hetojë se nuk e njihte veten edhe aq mirë, pasi të ketë bërë një gjest human për të cilin nuk ishte në dijeni as vetë se mund ta bënte; ose pasi të ketë bërë krejt të kundërtën, një gjest jo human për të cilin prore i ka urryer dhe përçmuar ata që i bënin.

Dikush do të mësohet me gjendjen e re dhe s’do ta kishte aq problem nëse do të vazhdonte edhe për vite të tëra.

Ndonjë i marrë do të zbulojë me habi kohën me bollëk për të ushtruar dhunë në familje; e ndonjëri do të përpiqet me mish e shpirt ta rifitojë kohën e humbur të dashurisë.

Njëri s’do të ketë as vullnetin më të vogël ta lexojë as edhe një faqe të vetme; e tjetri do të shkarravisë një vëllim të tërë mbi pandeminë, dreqin dhe të birin.

Dikush do ta zbulojë një të çarë në murin e shtëpisë.

Dikush do të hetojë sa e çmuar është koha e lirë; e dikush tjetër se sa e padurueshme.

Ndonjëri do t’ia ketë përcjellë tjetrit virusin dhe në rast pasojash të skajhhme nuk do të mund t’ia falë këtë vetes kurrë; e ndonjëri tjetër do të mjaftohet të shpëtojë vetë, çfarë u ka shktuar të tjerëve s’do të ketë asnjë rëndësi.

E kështu pafundësisht.

Me pak fjalë, në përgjithësi janë gjërat që i mësojmë në jetën e përditshme si në gjendje normale ashtu edhe në gjendje ekstreme. Edhe në jetët tona personale, ekzistenca na shtyen drejt gjendjesh të ndryshme, ndonjëherë ekstreme. Secili pastaj merr mësimin e vet, në mënyrën e vet.

Mua më duket se njëri prej mësimeve më të madha (dikush mund të më kundërshtojë me cinizëm dhe me të drejtë se këtë mund ta kisha kuptuar pa pasur nevojë për përvojën) që do të marr në këtë gjendje pandemie – nuk po pretendoj se të gjitha ato të tjerat i kam mësuar tashmë – është se nuk mund të presim një empati të përgjithshme politike në ndonjë gjendje esktreme në të cilën mund të katandisemi. Se, përkundrazi, gjendje të tilla të rënda do të jenë përherë një karrem që do t’i joshë politikanët tonë t’i përvjelin mëngët kundër njëri-tjetrit si kurrë më parë.