Pesë vende evropiane, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Suedia dhe Holanda kanë akuzuar Rusinë se ka përdorur një toksinë të nxjerrë nga bretkosat helmuese të shigjetës për të vrarë kritikun e Kremlinit, Alexey Navalny.
Aleatët evropianë deklaruan të shtunën se Navalny ishte helmuar gjatë kohës që mbahej në një koloni penale në Arktik dy vite më parë, pretendim që Moska e ka hedhur poshtë duke e cilësuar propagandë.
Navalny, 47 vjeç, vdiq në shkurt të vitit 2024 në një burg në Arktik, ku po vuante dënimin pasi ishte shpallur fajtor për ekstremizëm dhe akuza të tjera, të cilat ai i kishte mohuar. Autoritetet ruse thanë se ai u ndje keq pas një shëtitjeje dhe vdiq nga shkaqe natyrore.
Çfarë thanë vendet evropiane?
Në një deklaratë të përbashkët, pesë vendet thanë se analizat e mostrave nga trupi i Navalnyt kanë konfirmuar “në mënyrë përfundimtare” praninë e epibatidinës, një toksinë që gjendet te bretkosat helmuese të Amerikës së Jugut dhe që nuk gjendet natyrshëm në Rusi.
Sipas deklaratës, duke marrë parasysh toksicitetin e epibatidinës dhe simptomat e raportuara, helmimi ishte shkaku më i mundshëm i vdekjes së tij. Vendet theksuan gjithashtu se rasti nënvizon nevojën që Rusia të mbahet përgjegjëse për shkeljet e Konventës për Armët Kimike dhe Konventës për Armët Biologjike dhe Toksike.
Nuk është e qartë se si aleatët evropianë kanë siguruar mostrat nga trupi i Navalny-t.
Çfarë janë bretkosat e shigjetës?
Epibatidina është një neurotoksinë e sekretuar nga bretkosat e vogla dhe shumëngjyrëshe që jetojnë në pyjet tropikale të Amerikës së Jugut. Shkencëtarët evropianë dyshojnë se substanca e përdorur ndaj Navalny-t është prodhuar në laborator.
Toksina vepron në mënyrë të ngjashme me agjentët nervorë, duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje, konvulsione, kriza, ngadalësim të rrahjeve të zemrës dhe, në fund, vdekje.
Reagimi i Rusisë
Qeveria ruse i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar si “mashtrim propagandistik perëndimor”, sipas agjencisë shtetërore TASS. Ambasada ruse në Londër reagoi me ironi, duke thënë: “Duhet pyetur se çfarë lloj njeriu do ta besonte këtë marrëzi për një bretkosë”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se Moska do të komentojë vetëm pasi të publikohen rezultatet e plota të testeve, duke i quajtur deri atëherë të gjitha pretendimet propagandë për të shmangur vëmendjen nga problemet e Perëndimit.
Kush ishte Alexey Navalny?
Navalny ishte një nga figurat më të njohura të opozitës ruse. Ai u bë i famshëm në vitin 2008 përmes denoncimeve të korrupsionit në kompani shtetërore si Gazprom dhe Rosneft. Më pas themeloi projekte dhe organizata antikorrupsion që ekspozuan abuzime në nivelet më të larta të pushtetit rus.
Në vitin 2020, ai ishte shënjestër e një helmimi tjetër me agjent nervor, për të cilin fajësoi Kremlinin. Pas rikthimit në Rusi nga Gjermania, ku u trajtua, ai u arrestua menjëherë dhe kaloi tre vitet e fundit të jetës në burg.
Vdekja e tij u njoftua pak para hapjes së Konferencës së Sigurisë në Mynih 2024, ku bashkëshortja e tij, Yulia Navalnaya, kërkoi që presidenti rus Vladimir Putin të mbahet përgjegjës.
“Isha e bindur që nga dita e parë se burri im ishte helmuar, por tani ka prova”, deklaroi ajo, duke falënderuar shtetet evropiane për hetimin dyvjeçar që, sipas saj, zbuloi të vërtetën. /tvklan.al