Çfarë është çrregullimi bipolar, simptomat dhe trajtimi - Gazeta Express
string(54) "cfare-eshte-crregullimi-bipolar-simptomat-dhe-trajtimi"

Çfarë është çrregullimi bipolar, simptomat dhe trajtimi

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

07/05/2021 11:16

Psikoterapia është një pjesë vitale e trajtimit të çrregullimeve bipolare dhe shpeshherë edhe anëtarët e familjës duhet të jenë të përfshinë në këshillimin psikologjik, në mënyrë që të menaxhohet më mirë kjo gjendje

Shkruan: Brikena Krasniqi Hoti

Çrregullimi bipolar, i quajtur më parë depresioni maniak, është një çrregullim apo gjendje e shëndetit mendor ku shfaqen ndryshime apo luahtje ekstreme të humorit, që përfshijnë ngritjen ekstreme të gjendjes emocionale (në fazen e manisë ose hipomanisë) dhe uljen apo rënien ekstreme të gjendjes emocionale (faza e depresionit).

Kur personi gjendet ne fazen e manisë ose hipomanisë (më pak ekstreme se mania), mund të ndihet tejet euforik, plot energji , me vetbesim të tepruar ose jashtëzakonisht i/e irrituar. Këto ndryshime të humorit mund të ndikojnë në gjumë, energji, aktivitet, gjykim, sjellje dhe aftësinë për të menduar qartë. Ndërsa në fazën e depresionit, mund të ndjehet i/e trishtuar ose i/e pashpresë dhe të humb interesin ose kënaqësinë për shumicën e aktiviteteve të përditshme.

Personi duhet të ketë përjetuar të paktën një herë gjatë jetës së tij, një episod të asaj që quhet episod i manisë për tu klasifikuar si çrregullim bipolar.

Episodet e ndryshimeve të humorit mund të ndodhin rrallë ose disa herë gjatë një viti. Ndërsa, shumica e njerëzve do të përjetojnë disa simptoma emocionale midis episodeve, disa mund të mos përjetojnë asnjë dhe të jenë stabil ndërmjet episodave me ndryshime humori.

Cilët janë faktorët kryesorë që mund ta shkaktojnë atë?

Çrregullimi bipolar duket se rezulton nga një kombinim faktorësh, të cilët mund të jenë gjenetikë, pra tek ata që kanë një anëtar të familjes me këtë gjendje. Pastaj faktorët biologjik, pra disa ndryshime ne ekuilibrin e neurotransmetuesve ne tru, si dhe faktorët e mjedisit ose rrethanat e jetës së një individi, siq janë :ngjarjet e tilla si abuzimi fizik, psiqik apo seksual, humbjet e mëdha në jetë, ose ngjarjet traumatike, të cilat mund të shkaktojnë një episod fillestar tek një person i ndjeshëm ose që ka predispozita gjenetike.

Cilat grupmosha dhe cilat gjini mund të përballen më shpesh me të dhe pse?

Megjithëse çrregullimi bipolar mund të shfaqet në çdo moshë, zakonisht diagnostikohet në vitet e adoleshencës ose në fillim të të 20-ave. Simptomat mund të ndryshojnë nga personi në person, dhe simptomat mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Mund te shfaqet si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat.

Cilat janë shenjat apo simptomat e para që na tregojnë që po përballemi me çrregullim bipolar?

Zakonisht, në fazën e manisë, vërejmë një ndryshim të dukshëm nga sjellja e zakonshmee personit: rritje e energjisë ose aktivitetit, vetbesim i fryrë ose madhështi, nevoja e zvogëluar për gjumë, më llafazan/e se zakonisht, duket si kur ju ikin idete ose nderrojnë shpeshë temën e bisedës në mënyrë të pakuptimtë, personat ndjejnë që mendimet e  tyre janë aq të shpejta sa po garojnë, shpërqendrohen lehtë, marrin vendime në mënyrë impulsive apo përfshirja e tepruar në aktivitete që kanë një potencial të lartë për pasoja të demshme ose të rrëzikshme për jetën e personit..

Cilat janë llojet e çrregullimit bipolar?

Llojet e çrregullimit bipolar sipas DSM 5 janë këto:

Çrregullimi bipolar I, ku personi ka pasur të paktën një episod të manisë, e që mund të paraprihet ose pasohet nga episode të hipomanisë (më të lehta se mania) ose episodat të depresionit. Në disa raste, mania mund të shoqërohet edhe me simptoma psikotike, që nënkupton një shkëputje nga realiteti.

Çrregullimi bipolar II, ku personi ka pasur të paktën një episod depresioni dhe të paktën një episod hipomanik, por kurrë nuk ka pasur një episod manik.

Çrregullimi ciklotimik, kur të paktën dy vjet, ka pasur shumë episoda të simptomave të hipomanisë dhe periudha të simptomave depresive (megjithëse më pak të rënda se faza e depresionit ose faza manike).

Si mund të trajtohet ky çrregullim? Trajtohet duke kombinuar psikoterapinë dhe medikamentet përkatëse.

Sa mund të zgjasë trajtimi? Manifestimi i simptomave mund të jetë i ndryshëm tek secili person, prandaj edhe kohezgjatja e trajtimit është e ndryshme. Trajtimi synon të stabilizojë gjendjen emocionale të personit dhe të zvogëlojë ashpërsinë e simptomave. Qëllimi është të ndihmojë personin të funksionojë në mënyrë efektive në jetën e përditshme, prandaj trajtimi mund të jetë afatgjatë.

Cilat janë komplikimet që vijnë si pasojë e këtij çrregullimi?

Studimet kanë treguar se 25% deri 50% e pacientëve me çrregullim bipolar tentojnë vetëvrasjen të paktën një herë gjatë jetës së tyre, dhe se 8% në 19% do të përfundojnë vetëvrasjen. Pastaj problemet në lidhje me përdorimin e drogës dhe alkoolit, problemet ligjore ose financiare janë të shpeshta si pasojë e vendimeve/veprimeve impulsive në fazën e manisë, marrëdhëniet me të tjerët janë shpeshherë të dëmtuara si dhe performancë e dobët në punë apo në shkollë.

Disa këshilla për ata që përballen më këtë gjendje, mund të jenë:

Kushtojini vëmendje shenjave paralajmëruese. Adresimi i simptomave ose kërkimi i ndihmës që në fillim mund të parandalojë që episodet të përkeqësohen.

Shmangni drogën dhe alkoolin. Përdorimi i alkoolit ose drogës mund të përkeqësojë simptomat tuaja dhe t’i bëjë ato më lehtë të kthehen.

Merrni ilaçet tuaja saktësisht siç jeni udhëzuar nga psikiatri dhë mos i ndërpreni pa u konsultuar më të, pasi që simptomat tuaja mund të përkeqësohen ose të kthehen. Mos harroni se psikoterapia është një pjesë vitale e trajtimit të çrregullimeve bipolare dhe shpeshherë edhe anëtarët e familjës duhet të jenë të përfshinë në këshillimin psikologjik, në mënyrë që të menaxhohet më mirë kjo gjendje. Brikena Krasniqi Hoti-Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë