Shkruan: Valbona Zeneli
Në takimin e shumëpritur të muajit të kaluar në Busan të Koresë së Jugut, midis Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit kinez Xi Jinping, të dy udhëheqësit arritën një armëpushim të brishtë, me synimin uljen e tensioneve dhe stabilizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ranë dakord të ulin me 10% tarifat mbi mallrat kineze, duke e çuar normën mesatare në 47%, ndërsa Kina u angazhua të shtyjë vendosjen e kontrolleve të reja mbi eksportet e mineraleve dhe elementëve të rrallë si edhe të rrisë blerjet e sojës amerikane. Edhe pse e kufizuar në fushëveprim, marrëveshja Trump– Xi përfaqëson një depërshkallëzim të rëndësishëm të tensioneve tregtare midis Uashingtonit dhe Pekinit. Por ajo që palët ranë dakord dhe ajo që mund të ndodhë më pas ka gjasa të ketë konsekuenca përtej këtyre dy vendeve, duke riformësuar gjithashtu tregtinë europiane.
Si arriti tregtia globale në këtë pikë? Prej vitesh, Trump ka synuar t’i japë fund deficitit tregtar shumëvjeçar të SHBA-ve me Kinën. Gjatë mandatit të tij të parë dhe tani sërish në mandatin e dytë, ai e ka akuzuar Pekinin për praktika të padrejta tregtare, duke përfshirë subvencione dhe shkelje antidumping, të cilat, sipas tij, kanë dëmtuar industrinë prodhuese amerikane. Si kundërpërgjigje, që nga fillimi i luftës tregtare të Trump në vitin 2018, tarifat amerikane mbi mallrat kineze janë rritur tetëmbëdhjetëfish. Në vitin 2022, deficiti tregtar i SHBA-ve me Kinën ishte ende 382 miliardë dollarë. Ai ra në 279 miliardë në vitin 2023 dhe u rrit në 295 miliardë në vitin 2024. Por që nga prilli i këtij viti, politika e tarifave e administratës—përfshirë zbatimin e saj shpesh të paparashikueshëm—ka ndryshuar ndjeshëm ekuilibrin. Importet mujore të SHBA-së nga Kina kanë rënë me rreth 50% midis janarit dhe qershorit të këtij viti, duke e ulur deficitin mujor me Kinën në 9.5 miliardë dollarë në qershor, niveli më i ulët në njëzet e një vitet e fundit.
Ndërkohë, eksportet globale të Kinës vazhdojnë të rriten, duke arritur në 20% të Produktit të saj të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2024. Ndërsa lidhjet ekonomike Kinë–SHBA dobësohen, Bashkimi Europian është bërë tregu kryesor i eksporteve kineze. Mallrat kineze që po humbasin terren në Shtetet e Bashkuara po ridrejtohen tani drejt Europës, duke përmbytur tregjet e BE-së dhe duke krijuar disbalanca të rritura tregtare që kujtojnë ato të parë më herët në SHBA. Eksportet kineze drejt BE-së u rritën me 14% qind në shtator krahasuar me një vit më parë—rritja më e madhe në mbi tre vjet—duke e çuar deficitin tregtar të BE-së me Kinën gati në dyfishin e niveleve të vitit 2018. Midis viteve 2017 dhe 2024, tregtia Kinë–BE u rrit me rreth 140 miliardë dollarë, me deficitin tregtar që u rrit nga 202 miliardë dollarë në 2017 në 333 miliardë në 2024. Nëse vazhdon ritmi i këtij viti, deficiti tregtar i BEsë me Kinën mund të tejkalojë 400 miliardë dollarë.
Vërshimi i mallrave kineze po riformëson panoramën industriale të Evropës, duke e ekspozuar BE-në ndaj të njëjtave praktika kapitaliste të udhëhequra nga Pekini zyrtar që për shumë vite sfiduan Shtetet e Bashkuara nën petkun e tregtisë së lirë. Pakënaqësitë në Bruksel shkojnë përtej automjeteve elektrike (EV) të lira dhe mallrave me kosto të ulët. Në korrik, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e akuzoi Kinën se po “përmbyt tregjet globale me mallra të lira dhe të subvencionuara”, – duke paralajmëruar për një “tronditje të re kineze”. Automjetet elektrike kineze, të cilat janë 20–30% më të lira se ato europiane kryesisht falë subvencioneve shtetërore, po sfidojnë qendrën automobilistike të Gjermanisë dhe zinxhirët e saj europianë të furnizimit. Në sektorin e teknologjive diellore dhe të gjelbra, dominimi i Kinës ka mbyllur tashmë një numër të madh kompanish europiane në sektorët e çelikut, aluminit, makinerive dhe baterive. Në thelb të problemit qëndron teprica e vazhdueshme industriale e Kinës, e cila krijon shtrembërime të tregut të nxitura nga subvencionet shtetërore dhe ndikon rëndë në konkurrueshmërinë e BE-së. Shumica e eksporteve kineze drejt BE-së ende përballen me tarifa të ulëta prej 2–3% sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, por Brukseli po vendos gjithnjë e më shumë tarifa prej 20–50% për sektorët strategjikë si teknologjitë e gjelbra, automjetet elektrike dhe mallrat industriale, duke sinjalizuar një qasje më mbrojtëse të BE-së ndaj tregtisë. Kina, që ka qenë prodhuesja kryesore botërore ne pesëmbëdhjetë vitet e fundit, me mbi 31% të prodhimit global industrial, krahasuar me 17 % të Shteteve të Bashkuara dhe më pak se 13% të BE-së. Me kërkesë të dobët të brendshme për shkak të krizës së pasurive të paluajtshme, papunësisë së të rinjve dhe deflacionit, Kina po ridrejton prodhimin e tepërt drejt Europës, pasi qasja e saj shumëvjeçare në tregun amerikan po kufizohet—një ndryshim që tani paraqet një sfidë të drejtpërdrejtë për bazën industriale të BE-së.
Në të njëjtën kohë, frustrimi në rritje i Europës ndaj Pekinit zbutet ende nga varësia e saj e thellë ekonomike. BE-ja varet nga Kina për pothuajse të gjitha furnizimet e saj me elementë të rrallë dhe magnete të përhershëm, si dhe për teknologjitë e lidhura të përpunimit—të gjitha thelbësore për industritë europiane të teknologjisë së gjelbër, të sektorit digjital dhe të mbrojtjes. Kjo i jep Pekinit një fuqi të rëndësishme ndikimi në marrëdhëniet tregtare dhe gjeostrategjike me BE-në. Aftësia e Europës për t’iu përgjigjur praktikave të diskutueshme tregtare të Kinës ndërlikohet më tej nga fakti që Evropa varet nga zinxhirët e furnizimit kinezë për të konkurruar pikërisht në sektorët ku Kina dominon. Si pjesë e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara, Pekini do të zgjasë pezullimin e kontrolleve të eksportit për elementët e rrallë edhe për BE-në, duke i dhënë bllokut pak hapësirë frymëmarrjeje. Por kjo lehtësi, e vetme, nuk do të mjaftojë që BE-ja të diversifikojë burimet e saj, edhe me nisma si Akti për Lëndët e Para Kritikë dhe strategjia Global Gateway.
Dominimi i Kinës në lëndët e para kritike është sistemik, jo i përkohshëm; aftësia e saj udhëheqëse në përpunimin global i mundëson të kontrollojë pika strategjike të bllokimit në zinxhirët e furnizimit. Shumë furnizues të tjerë në Afrikë dhe Amerikën Latine janë vetë të lidhur me Kinën përmes pjesëmarrjeve pronësore ose varësive në përpunim, të cilat e mbajnë Pekinin të ngulitur thellë në zinxhirët globalë të furnizimit. Zvogëlimi i varësisë nga Kina do të kërkojë investime afatgjata në miniera dhe përpunim, me kosto të mëdha financiare dhe mjedisore.
Ndërkohë, BE-ja ka propozuar blerje dhe magazinim të përbashkët të lëndëve të para, për të siguruar çmime më të mira dhe për të reduktuar rreziqet e furnizimit, me tenderët e parë pilot për blerje të përbashkëta të elementëve të rrallë dhe litiumit të pritshëm vitin e ardhshëm. Në korrik të këtij viti, Komisioni Evropian nisi Platformën e BE-së për Energjinë dhe Lëndët e Para, për t’u mundësuar kompanive evropiane të prokurojnë së bashku produkte energjetike dhe lëndë të para, por duket se zbatimi ka qenë minimal. Deri tani, kjo platformë ka mundësuar kontrata që përfaqësojnë vetëm 2% të kërkesës së mundshme të kompanive europiane në sektorin e gazit.
Ndërsa politikëbërësit europianë duan të shmangin përfshirjen në rivalitetin SHBA–Kinë, ata gjithsesi njohin sfidat sistemike që paraqet fuqizimi e Kinës dhe e dinë se udhëheqja e Pekinit nuk është e gatshme të ndryshojë kurs. Në këtë situatë ka ardhur koha që BE-ja të ndërmarrë hapa më të vendosur për të mbrojtur qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e saj ekonomike. Këtë çështje e trajtojmë (me bashkautorin tim) në detaje në një raport të ri të Atlantic Council, të titulluar “A po zgjohet Europa përballë sfidës kineze?”. Por, një hap i parë që SHBA dhe BE-ja mund të ndërmarrin është krijimi i një platforme të përbashkët për koordinimin e mineraleve kritike—e mbështetur nga bashkëfinancimi, standardet e harmonizuara dhe rezervat strategjike—për të përafruar projektet, vlerësuar rreziqet dhe planifikuar masat e përbashkëta. Përpjekje të tilla mund të ngrihen eventualisht në nivelin e Grupit të Shtatë (G7).
Por kjo do të funksionojë vetëm nëse grupimi perëndimor mbetet i bashkuar dhe nuk cenohet kur ndonjë nga vendet anëtare ndjek një politikë më autonome ndaj Kinës, siç ndodhi kur Franca së fundmi hodhi idenë për të ftuar Kinën në samitin e G7 të vitit 2026. Angazhimi me Kinën është i domosdoshëm, por do të jetë efektiv vetëm nëse të gjithë anëtarët e G7 ndjekin një qasje të përbashkët. Politika më e mirë afatgjatë e sigurimit për BEnë në këtë drejtim është forcimi i bashkëpunimit transatlantik dhe brenda G7 për të rritur fuqinë kolektive të Perëndimit.
Shkrimi i botuar në Atlantic Council Dr. Valbona Zeneli është eksperte e lartë me një afilacion të dyfishtë në Qendrën për Europën dhe në Nismën për Sigurinë Transatlantike të Qendrës Scowcroft për Strategji dhe Siguri pranë Atlantic Council
Next to Vala Mar Premium, projekti që po transformon bregdetin shqiptar dhe vlerën e investimit në Adriatik, 50% e...