Garancitë e sigurisë për Kievin janë një çështje kyç në përpjekjet për t’i dhënë fund luftimeve gjatë pushtimit rus të Ukrainës, dhe tani i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, e ka vendosur në qendër të vëmendjes termin “sikurse Neni 5”.
Më 17 gusht, Witkoff i tha rrjetit televiziv amerikan, CNN, se gjatë samitit në Alaskë ishte arritur marrëveshje që SHBA-ja dhe aleatët e saj të ofronin garanci “vendimtare” për Ukrainën në formën e “mbrojtjes si Neni 5”, edhe pse nuk dha hollësi konkrete.
Sipas tij, pas takimit mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, Rusia nuk do ta kundërshtonte një gjë të tillë si pjesë e një kuadri të mundshëm paqeje.
Fraza lidhet me Nenin 5 të traktatit themelues të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), që është klauzola kryesore sipas së cilës një sulm i armatosur kundër një anëtari konsiderohet si sulm kundër të gjithëve.
Por, ndryshe nga besimi i përgjithshëm, ky nen nuk obligon automatikisht anëtarët e NATO-s për ndërhyrje të plotë ushtarake. Ai parasheh që secili shtet anëtar “do ta ndihmojë palën ose palët e sulmuara duke marrë menjëherë, individualisht ose në bashkëpunim me të tjerët, veprimet që i konsideron të nevojshme, përfshirë edhe përdorimin e forcës së armatosur”.
Që nga krijimi i NATO-s më 1949, Neni 5 është aktivizuar vetëm një herë – pas sulmeve të 11 shtatorit – duke shkaktuar operacione dhe masa mbështetëse nga aleanca, edhe pse kontributet ndryshuan në kohë dhe përmasë nga një shtet në tjetrin.
Një marrëveshje “si pothuajse Neni 5” do ta adoptonte konceptin e mbrojtjes kolektive jashtë kornizës së NATO-s, pa e bërë Ukrainën anëtare të saj – gjë që Trump qartësisht e ka përjashtuar.
Çfarë do të nënkuptonte kjo?
Një sistem paralel për Ukrainën do të varej plotësisht nga teksti që do të negociohej. Më shumë se vetë emërtimi, rëndësi kanë detajet: kush angazhohet, për çfarë, dhe sa shpejt e fuqishëm do të vepronte në rast të një sulmi të ri ndaj Ukrainës.
Pikërisht kjo mungesë qartësie ngjall skepticizëm.
Ukrainasit janë të kujdesshëm pas premtimeve të paqarta të Memorandumit të Budapestit të vitit 1994, i cili ofroi “garanci” sigurie në këmbim të heqjes dorë nga armët bërthamore të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik.
Ato garanci nuk e ndaluan agresionin rus. Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, theksoi se problemi i Kievit nuk është mungesa e garancive, por mosrespektimi i tyre.
“Më 22 prill 2004, Vladimir Putin e ratifikoi solemnisht Marrëveshjen për kufirin ruso-ukrainas. Mjafton të respektohet ajo dhe lufta përfundon”, shkroi ai në X.
Nga ana tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e mirëpriti propozimin dhe tha se BE-ja është ‘”gati të bëjë pjesën e saj”.
“Siç e kam thënë shpesh, Ukraina duhet të bëhet si një iriq prej çeliku, i papërtypshëm për pushtuesit potencialë”, deklaroi ajo.
Në aspektin gjeopolitik, propozimi ngre një paradoks. Nëse garancitë e pasqyrojnë realisht efektin parandalues të NATO-s, pse do t’i pranonte Kremlini?
Një shpjegim i mundshëm është se Moska i sheh garancitë, që janë jashtë kornizës së NATO-s, si më pak automatike e detyruese sesa anëtarësimi i plotë në aleancë, apo si më të hapura për negociata në përmbajtje dhe gjeografi.
Kur u pyet nga CNN-i nëse Rusia do të pranonte “garanci si të Nenit 5 të NATO-s”, Witkoff u përgjigj:
“Ajo që thashë është se arritëm marrëveshje që SHBA-ja dhe shtetet e tjera evropiane mund të ofronin në mënyrë efektive një formulim si Neni 5 për garanci sigurie”.
Por, nëse këto garanci dobësohen me qëllim që Rusia t’i pranojë, rrezikojnë të mos e parandalojnë askënd – e aq më pak Moskën. /REL