Të biesh brenda një vrime të zezë gjigante do të ishte padyshim fatal – por fatmirësisht jo diçka që njerëzit duhet ta shqetësojnë në jetën e përditshme.
Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se në sistemin tonë diellor mund të fshihen vrima të zeza shumë të vogla, të quajtura primordiale, të cilat në teori mund të kalonin përmes trupit të njeriut pa u vënë re… ose duke shkaktuar një vdekje të tmerrshme.
Këto vrima të zeza miniaturë mund të kenë masa që variojnë nga 100,000 herë më të vogla se një kapëse letre deri tek 100,000 herë më të mëdha se Dielli.

Goditja nga një vrimë e zezë primordiale do të ishte si një plumb – por shumë më keq
Sipas profesorit Robert Scherrer, fizikant në Universitetin Vanderbilt, kalimi i një vrime të zezë të tillë përmes trupit të një personi do të shkaktonte dëmtime të tmerrshme:
“Një vrimë e zezë primordiale, me madhësinë e një asteroidi ose më shumë, do të sillte dëmtime serioze ose vdekje. Do të vepronte si një e shtënë me armë,” – thotë ai.
Vrimat e zeza primordiale mendohet se janë formuar çastet e para pas Big Bengut, kur re gjigante materieje u shembën në pika tejet të dendura. Ato janë shumë të vogla – shpesh sa një atom – por me masë kolosale dhe fuqi shkatërruese.
Dy mënyrat se si do t’ju vriste një vrimë e zezë primordiale
Prof. Scherrer thotë se ekzistojnë dy efekte kryesore vdekjeprurëse:
1. Goditja supersonike (shockwave)
Ndërsa vrima e zezë kalon brenda trupit duke lëvizur shumë më shpejt se shpejtësia e zërit, ajo krijon një shpërthim energjie – si një valë goditëse – që përhapet në inde.

Rezultati?
dëmtime të menjëhershme të organeve,
gjakderdhje masive,
efekt të ngjashëm me kalimin e një plumbi me kalibër të madh.
Një vrimë e zezë me masë 140 miliardë tonë do të jepte një energji goditëse sa një pushkë 0.22, potencialisht vdekjeprurëse.
2. Forcat e baticës (tidal forces)
Kjo është e njëjta forcë që e shqyen një planet kur i afrohet shumë një ylli.
Meqë vrima e zezë është aq e vogël, zona e ndikimit është e kufizuar, por nëse ajo kalon në tru:
Forcat e baticës mund të arrijnë 10 – 100 Newton,
mjaftueshëm për të shkëputur qelizat e trurit nga njëra-tjetra.
Por edhe këtu, Scherrer thotë se shockwave është më vdekjeprurës sesa vetë tërheqja gravitacionale.
A duhet të shqetësohemi?
Jo, thotë profesori. Edhe pse një vrimë e zezë e vogël mund të kalojë fare pranë nesh:
shanset që të na godasë janë praktikisht zero,
dhe fakti që askush nuk është vrarë ndonjëherë prej tyre, tregon se ato janë jashtëzakonisht të rralla.
Kjo madje ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më shumë për materien e errët – substancën misterioze që mban galaksitë bashkë. Nëse vrimat e zeza primordiale do të ishin të zakonshme, ndoshta shumë njerëz tashmë do të ishin goditur prej tyre.

Çfarë do të ndodhte nëse do të biesh brenda një vrime të zezë të madhe?
Këtu skenari bëhet edhe më ekstrem.
Trupi juaj do të shtrihej në gjatësi si një spageti
– proces i quajtur spagettifikim.
Kjo ndodh sepse forca e gravitetit që vepron në këmbët tuaja do të ishte shumë më e fortë se ajo që vepron në kokën tuaj.
Do të përplaseshit nga rrezatim intensiv
Materiali që rrotullohet rreth vrimës së zezë në diskun e akrecionit lëshon rreze X tejet të forta – të pamundura për t’u mbijetuar.
Koha do të ngadalësohej
Nga perspektiva juaj, gjithçka duket normale. Por për një vëzhgues jashtë vrimës së zezë, ju do të dukeshit sikur ngadalësoheni deri në ndalim, përpara se të zhdukeshit përgjithmonë në horizontin e ngjarjes.
Fati final: shndërrim në një pikë të pafundme densiteti
Sap o kaloni pikën e pa-kthim, fizikës së zakonshme i mungojnë mjetet për të përshkruar çfarë ndodh me ju. Nga jashtë, dukeni si i zhdukur; nga brenda, gjithçka përfundon në singularitet. /GazetaExpress/