Mes viktimave ishte drejtuesi i lokomotivës, një punonjës i hekurudhës dhe një pasagjer. 41 vetë pësuan lëndime. Me gjasa shkak i aksidentit është bërë një rrëshqitje dheu, por hetimet vazhdojnë. Aktualisht nuk ka prova për ndërhyrje nga jashtë. Në momentin e aksidentit ka pasur reshje të forta, tha një zëdhënës i policisë në Ulm për ARD, dyshohet se ujërat kanë rrjedhur poshtë argjinaturës, duke shkaktuar rrëshqitje dheu.” Me sa duket rrëshqitja e dheut ka prekur shinat dhe ka të ngjarë të ketë shkaktuar daljen e trenit nga shinat. Hetimet nuk kanë përfunduar ende.
Kancelari Friedrich Merz (CDU) deklaroi në X se aksidenti hekurudhor në Biberach e ka tronditur. “Ne mbajmë zi për viktimat. U shpreh ngushëllimet e mia familjeve.” Merz deklaroi se është në kontakt të ngushtë me Ministrin e Brendshëm dhe Ministrin e Transportit dhe u ka kërkuar atyre të mbështesin shërbimet e shpëtimit me të gjitha mjetet e mundshme. Ministri gjerman i Transportit Patrick Schnieder (CDU) deklaroi: “Situata në vendngjarje është tronditëse. Përmasat e aksidentit hekurudhor pranë Riedlingen vetëm mund të hamendësohen.” Schnieder shtoi se autoritetet janë në kontakt të ngushtë me hekurudhën gjermane dhe po ofrojnë mbështetje “kudo që të jetë e mundur”. “Ekspertët tanë janë në rrugë për të hetuar shkakun e aksidentit së bashku me autoritetet hetuese.”
Qindra forca shpëtimi ishin dje në vendin e aksidentit. Aktualisht linja hekurudhore aty është mbyllur. Në faqen e internetit të hekurudhës gjermane, u njoftua, se shërbimi hekurudhor midis Munderkingen dhe Herbertingen është pezulluar. /DW/