Çfarë dëshmuan katër dëshmitarët e mbrojtjes së Thaçit? - Gazeta Express
string(54) "cfare-deshmuan-kater-deshmitaret-e-mbrojtjes-se-thacit"

Lajme

Gazeta Express

03/11/2025 13:20

Çfarë dëshmuan katër dëshmitarët e mbrojtjes së Thaçit?

Lajme

Gazeta Express

03/11/2025 13:20

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, deri më tani kanë dëshmuar gjithsej katër dëshmitarë të thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, në gjykimin ku ky i fundit së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Paraqitja e provave të mbrojtjes filloi më 15 shtator 2025 dhe dëshmitari i parë në këtë rast ishte ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

James Rubin

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin kritikoi Gjykatën Speciale për kohën e gjatë që ka mbajtur në paraburgim katër të akuzuarit, në veçanti Hashim Thaçin.

Ai madje tha se e shqetëson fakti që dikush të qëndrojë i paraburgosur për pesë vite, duke e ditur që ata iu dorëzuan vullnetarisht drejtësisë.

Rubin tha se sekretarja Madeleine Albright nuk e ka menduar këtë lloj drejtësie, kur ka iniciuar krijimin e ish-Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën.

Kështu që mua më është dukur si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së nëpër male dhe UÇK-së dhe nuk mendoj që dikush tjetër jashtë UÇK-së e ka pasur këtë mundësi. Duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së, unë për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush zëvendësi. Duke pasur këtë lloj njohurie, unë mendoj kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, por kam të drejtë të shpreh me zë të lartë opinionin tim”, tha James Rubin në Hagë.

Veç kësaj, Rubin tha se persona nga fusha e drejtësisë ndërkombëtare i kanë thënë se është mënyrë e pazakontë trajtimi i tillë i një burrështetasi, sikurse ky që i bëhet Hashim Thaçit në Hagë.

Në Hagë, Prokuroria e ballafaqoi Rubinit me deklarata të tij të mëhershme që i kishte dhënë në publik lidhur me procesin gjyqësor në Hagë dhe aktakuzën ndaj Hashim Thaçit dhe tjerëve.

Ai e kishte përshkruar Prokurorinë si turp në një deklaratë në korrik të këtij viti, për të cilën, Rubin tha se mund të ketë qenë shprehje e pamatur. Përveç kësaj, ai kishte thënë se Thaçi ishte arrestuar në kohën kur po e bënte marrëveshjen e paqes me Serbinë.

Dëshmitari kishte thënë se as nuk e kishte lexuar dosjen paragjyqësore, as aktakuzën dhe as nuk i kishte ndjekur dëshmitë e dëshmitarëve.

Si rrjedhojë, Prokuroria iu drejtua Rubinit duke i thënë që nuk e ka lexuar aktakuzën, dosjen paragjyqësore e as s’i ka dëgjuar dëshmitarët që kanë dëshmuar dhe po nxjerr deklarata të tilla.

James Rubin dëshmoi për tri ditë më radhë, e që gjatë kësaj kohe tregoi për rolin dhe përgjegjësitë që kishte pasur Hashim Thaçi si pjesë e delegacionit shqiptar gjatë negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë.

Rubin tha se ishte udhëzuar nga ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright që të shoqërohej me Thaçin dhe ta njihte më shumë.

Sipas tij, ata e kishin inkurajuar Thaçin që Marrëveshjen e Rambujesë ta shihte si mundësi të vendosjes së paqes.

Rubin tregoi se Thaçi refuzonte të nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë dhe çdo marrëveshje tjetër që në thelb nuk e kishte fjalën ‘Pavarësi’.

James Rubin kishte treguar se Albright e kishte kërcënuar Thaçin me mospërkrahje nga perëndimi në rast që nuk e nënshkruan marrëveshjen.

Do jesh përgjegjës për vdekjen e njerëzve të tu nëse nuk ndërron mendje, lidershipi është për të marrë vendime të vështira. E di se e ke shumë të vështirë të heqësh dorë nga pavarësia, por nëse nuk pranon nuk do ta kesh përkrahjen e perëndimit. Do ta rrezikosh miqësinë me mua dhe Rubinin. Nuk ke miq më të mirë se mua dhe Rubinin në perëndim. Por, kështu ne nuk mund të të ndihmojmë të dëshpërosh popullin shqiptar”, lexoi avokati i Thaçit, Luka Mishetiq të këtë deklaruar James Rubin.

Madje, Rubin kishte thënë se Thaçit sa nuk i shpëtuan lotët nga ajo se çfarë i kishte thënë Albright.

Rubin kishte treguar se pas kësaj bisede me Albright, Thaçi kishte dalë në një shëtitje me atë e që si rrjedhojë i kishte treguar se ishte nën presionin e komandantëve të zonave të UÇK-së.

Gjatë kohës kur po zhvilloheshin punimet për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, Rubin tha se Thaçi iu kishte treguar se kishte vetëm rol politik dhe jo udhëheqës. Pra, me njëfarë forme ishte vetëm pasqyra e një lëvizjeje që dëshironte pavarësi.

Nuk e kishim kuptuar qartë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por ne e kishim të qartë që ai nuk kishte autoritet as nuk kishte mundësi të diktonte asgjë, por thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra e fshehur e udhëheqjes shqiptare që po merrnin vendime në grup. Ai duhej ta merrte lejen prej tyre dhe ai vetë nuk e kishte mundësinë. Nuk ishte në gjendje që të diktonte rregulla dhe kushte. Ai duhej të komunikonte me persona të tjerë që t’i jepej miratimi”, tha Rubin.

Në Hagë, ai tha se nuk mendonin dhe as nuk besonin që kishte sistem në UÇK që funksiononte në mënyrën e duhur në strukturë. Sipas tij, nuk kishte njësi të organizuar që dikush të ishte në krye ose të kishte autoritetin të dikonte. Veç kësaj, ai tha se kur ka qenë në Kosovë nuk ka parë diçka që i ngjasonte Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Kurse, komunikatat e UÇK-së, ai i ka quajtur si përpjekje e tyre për t’u dukur të rëndësishëm e të cilat janë dukur më shumë sikur manipulime sesa diçka që përkonte me realitetin sa i përket pjesës organizative.

Në anën tjetër, Rubin tha se diplomati Christopher Hill ishte i anshëm dhe kundër UÇK-së gjatë këtyre negociatave. Tha se vazhdimisht po tentonte që ta dëmtonte figurën e tij dhe figurën e sekretares Madeleine Albright.

Rubin ka deklaruar se në fazën fillestare të UÇK-së, po vriteshin civilë dhe jo ushtarë, veprime këto që i kishte dënuar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

Dëshmitari pranoi se në vitin 1997, autoritetet e ShBA-së shprehën shqetësime dhe dënuan krime që pretendohet se janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së.

Ai pohoi se autoritetet e ShBA-së nuk kanë mundur ta bëjnë këtë pa pasur raporte të besueshme që ngritnin shqetësimin e tillë. Kishte thënë se jo çdo veprim i UÇK-së ka qenë terrorist, duke shpjeguar se cilat i konsideron ai si terroriste.

Ndërsa, akuzat për vrasje e terrorizëm që kanë qarkulluar gjatë luftës, Rubin tha se kanë qenë të fabrikuara që për qëllim kanë pasur cenimin e marrëdhënieve të tyre me popullin e Kosovës.

Gjithashtu, ai thotë se edhe për akuzat që Thaçi dhe Krasniqi, apo edhe dikush tjetër të ketë kryer krime, nuk kanë gjetur prova që kanë dëshmuar një gjë të tillë.

Duke qëndruar tek kjo pikë, Rubin kishte thënë se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.

Rubin pohoi se Qeveria serbe nuk po vepronte sipas asaj që kuptohet si luftë konvicionale, por po vepronin si kriminelë për të fshehur krimet e tyre.

Ndërsa sa i përket marrëveshjes së Rambujesë, James Rubin tha se Adem Demaçi, pati një telefonatë të ashpër me Madeleine Albright, ku kishte thënë se ose do bëhej pavarësia ose do të vdisnin të gjithë.

Përpara kësaj, Rubin ka thënë se pas Rambujesë me Madeleine Albright e kishin thirrur Adem Demaçin se mendonin që kishte influencë mbi Thaçin dhe jo anasjelltas. Ai deklaroi para Gjykatës Speciale se veprimtari Adem Demaçi, sipas përshtypjes së tij, ishte një burrë ideologjikisht i rëndësishëm, duke e quajtur edhe ekuivalent të Nelson Mandelës.

Veç kësaj, ai tha se gjatë periudhës së Konferencës së Rambujesë kur i ra më shumë që të takohej me Thaçin, e dinte që ky i fundit kishte epror.

James Rubin tha se Adem Demaçi hezitonte nënshkrimin e marrëveshjes në Rambuje sepse nuk e kishte premtimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dhanë Hashim Thaçit.

Sipas Rubinit, ky premtim kishte të bënte me faktin që në rast se Thaçi do nënshkruante marrëveshjen dhe pala serbe nuk do e bënte, atëherë ata do të angazhoheshin për fushatë ajrore kundër Serbisë.

Në fund të dëshmisë së tij, James Rubin tha se ishte privilegj për atë që të japë dëshmi në këtë proces përkundër faktit që ka zgjatur pak si shumë.

Paul Williams

Pas ish-ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka ka dëshmuar juristi i së drejtës ndërkombëtare, Paul Williams, i cili është ish-këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje gjatë 1999-ës.

Williams kishte thënë se në mes qëllimeve që delegacioni kosovar kishte në Rambuje, ishte për t’u siguruar për të marrë angazhim konkret për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Gjithashtu, ai tha se i kërkuan që të përgatisë gjuhë gjithëpërfshirëse për të siguruar që TPNJ-ja të kishte kompetenca për zbatimin e mandatit të saj në Kosovë. Tek kjo pikë, ai pohoi se Hashim Thaçi e dinte që kjo mund të përfshijë edhe hetime potenciale ndaj anëtarëve të UÇK-së. Madje, ai tha se vetë delegacioni kosovar kishte bërë propozime për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës. Si rrjedhojë, Willimas tha se delegacioni kosovar e donte TPNJ-në si mekanizëm të drejtësisë në Kosovë.

Duke folur për punimet e Marrëveshjes së Rambujesë, Williams tha në Hagë se përshtypja e tij ishte që Hashim Thaçi nuk kishte autoritetin mbi negociatat dhe se ai kontrollohej nga dikush jashtë objektit ku mbaheshin përgatitjet për Konferencën e Rambujesë dhe bisedimet për arritjen e Marrëveshjes së Paqes. Këtë përfundim, ndër tjerash, dëshmitari ka thënë se e bazon edhe nga telefonatat e shpeshta që kishte Thaçi.

Gjithashtu, ai kishte thënë se Thaçi u raportonte komandantëve të zonave të cilët ushtronin trysni ndaj tij. Përveç kësaj, edhe për Adem Demaçin, Williams tha se ushtronte presion ideologjik ndaj Thaçit. Ndërsa, për nënshkrim të marrëveshjes, Williams tha se Thaçi kishte presion nga Albright dhe persona të tjerë.

Por si u vendos Thaçi në krye të delegacionit kosovar në Rambuje, sipas Williams?

Dëshmitari Williams tha se në fillim të raundit për Konferencën e Rambujesë, delegacioni i Kosovës e kishte kryesinë me tre anëtarë në përbërje me Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin dhe Rexhep Qosjen. Sipas tij, rol joformal mori edhe Veton Surroi. Ai tha se Thaçi u zgjodh me dy vota. Sipas tij, ai e votoi veten dhe e mori edhe votën e Rexhep Qosjes.

Ai përmendi se Rugova, si pacifist, mbështeste pavarësinë, ndërsa Bukoshi kishte një qasje më të kujdesshme dhe bashkëpunonte me partnerët amerikanë e evropianë. Përveç këtyre figurave politike, ekzistonin edhe aktorë shtetërorë dhe një dimension i vetëvendosjes strategjike për pavarësinë.

Në këtë kontekst, sipas Willimas, ishte e rëndësishme që në negociata të përfshihej përfaqësues nga UÇK-ja, i cili përmes veprimeve dhe qëndrimeve të tij do të shfaqej si negociator dhe diplomat i besueshëm — rol që iu besua Thaçit.

Duke folur për Jakup Krasniqin, Williams tha se gjatë procesit të Vjenës dhe hartimit të Kushtetutës, Krasniqi ka pasur rol pozitiv lidhur me rolin e pakicave në Kosovë duke përfshirë atë serbe dhe rome.

Ndërsa, sa i përket UÇK-së, ai tha se ishte një strukturë mbi baza rurale dhe jo duke u bazuar në rregulla. Kurse, sa i përket Marrëveshjes së Rambujesë, Williams tha se ishte e qartë si drita e diellit që komandantët e zonave duhej bërë pjesë e procesit. Ngjashëm sikur Rubin, edhe Williams tha se Thaçi s’e kishte autoritetin që të vendoste vetë.

John Stewart Duncan

John Duncan nga gushti i vitit 1998 deri në dhjetor të 2001-ës, ka qenë këshilltar politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark.

Ai në Hagë tha se pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ideja e Shqipërisë së Madhe e shqetësonte komunitetin ndërkombëtar. Ndërsa për shqiptarët e Kosovës, ai tha se janë ndryshe nga ata të Shqipërisë dhe se kanë qenë pjesë e aparteidit gjatë kohës së Sllobodan Millosheviqit e më pas edhe të spastrimit etnik. Dëshmitari tha se shqiptarët e Kosovës kanë afeksion me njëri-tjetrin ndryshe nga ata të Shqipërisë.

Duke folur për UÇK-në, Duncan kishte deklaruar se UÇK-ja kishte përbërje heterogjene dhe se persona të ndryshëm kishin marrë armët për motive të ndryshme.

Përbërja e aktorëve kryesorë, personave kryesorë, veçanërisht kur filloi të përshkallëzohet spastrimi etnik, kishte disa shtresa; kishte persona që kanë qenë ushtarë në Armatën Jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë, të tjerë që iu ishin keqtrajtuar familjet. Motivi i tyre për të rrëmbyer armët ishte i ndryshëm ndonjëherë”, tha Duncan.

Ai tha se kishte edhe gra në UÇK, disa prej të cilave edhe ishin të mbijetuara të dhunës seksuale.

UÇK-në, dëshmitari tha se e quanin “ushtria e atyre që nuk kishin asgjë”. Mirëpo, sipas tij nga ajo që ka parë në terren e ka kuptuar që pjesëtarët e kësaj ushtrie vinin nga shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe se motivi për t’iu bashkuar luftës nuk ishte çdo herë i njëjtë.

Ngjashëm sikur dy dëshmitarët paraprak, edhe Duncan tha se e ka kuptuar që fuqinë reale në UÇK e kishin komandantët e zonave dhe se Agim Çeku i kishte thënë se nuk mund të merrej vesh për asgjë nëse nuk merrnin pjesë në negociata këta komandantë. Si rrjedhojë, Duncan mohoi hierarkinë në UÇK duke vendosur kompetencat në duar të komandantëve të zonave.

Në një takim që kishte pasur me komandantët e zonave, Duncan e përshkruan si takim që i vinte era barut dhe era luftë. Duke e quajtur takim që i la mbresa, Duncan e përshkroi komandantin e Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinajn të ngjante me filmat e Rambos.

Duke folur për Marrëveshjen e demilitarizimit të UÇK-së, dëshmitari John Stewart Duncan ishte pyetur se pse i është referuar Hashim Thaçit në atë dokument si kryekomandant i UÇK-së. Duncan theksoi se ai titull është i zmadhuar dhe nuk përkonte me realitetin.

Ai deklaroi se ishte planifikuar që Marrëveshjen e demilitarizimit ta nënshkruante Agim Çeku për shkak se ishte thënë që Thaçi nuk ishte i disponoheshëm. Por, më vonë përfundoi emri i tij si nënshkrues i dokumentit e që ky ndryshim nuk e di se nga ka ardhë, por që ishte propozuar nga UÇK-ja.

Ndërsa, mohoi se ka parë ndonjë provë apo dëshmi që tregonin se Thaçi ishte Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së ose që ekzistonte Shtabi i Përgjithshëm sipas pikëpamjeve ushtarake. Ndërsa, sa i përket komunikatave të UÇK-së, ai tha se nuk ka parë të atilla ku përmendeshin ekzekutimet.

Duncan tha se që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtri e rregullt dhe me hierarki, ishte propagandë serbe. Ai ka thënë se me gjasë serbët e thoni këtë për të justifikuar disfatën e tyre kundrejt UÇK-së. Përveç kësaj, dëshmitari tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka dashur të tregojë se nuk ishin thjesht guerile në mes të malit, por që janë seriozë nga pikëpamja ushtarake por nuk kishte hierarki nga lart-poshtë.

Dëshmitari John Duncan tha se në Kosovë kishte shumë dhunë në qershor të 1999-ës dhe ka parë shtëpi teksa digjeshin. Nënvizoi se dhuna e ushtruar ishte fillimisht nga serbët, e që shqiptarët po hakmerreshin. Ai theksoi se këta persona ishin njerëz të zakonshëm dhe kjo dhunë e ushtruar nuk ishte e organizuar. Ndërsa, mohoi se ka parë ndonjë ushtar të UÇK-së të merrte pjesë në këso veprime.

Për Marrëveshjen e Demilitarizimit, Duncan tha se Çeku ishte përgjegjës për respektimin e saj, për të cilin ka thënë se nuk e di se kujt i raportonte.

Dëshmitari në Hagë ka thënë se ideja e kësaj marrëveshje ishte shpërbërja e krahut politik dhe nuk u pranua që Thaçi të nënshkruajë në cilësinë e Kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme.

Për Çekun, dëshmitari tha se ka qenë krahu ushtarak ndërsa për Krasniqin dhe Thaçin ai tha se kanë qenë krahu politik.

James Peter Covey

Dëshmitari i radhës- James Peter Covey, ishte zëvendës i përfaqësuesit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Kosovë, Bernard Kouchner. Ai duke folur për Hashim Thaçin, e përshkroi marrëdhënien e tani të akuzuarit me komandantët e zonave të UÇK-së si të ndërlikuar.

Veç kësaj, ai shtoi se Thaçi nuk ishte shef i Agim Çekut e që as misioni ndërkombëtar i UNMIK-ut nuk e ka trajtuar atë si komandant. Ndërsa, mohoi se ka dijeni për rolin e Azem Sylës dhe Sokol Bashotës në UÇK. Po ashtu, ai tha se nuk e dinte se kush e themeloi UÇK-në dhe as rolin e Thaçit në Rambuje.

Për Thaçin, Covey tha se në kohën kur ai shërbeu në Kosovë, njihej si drejtues politik i UÇK-së.

Ngjashëm sikur Rubin, edhe Covey tha se nuk e ka lexuar aktakuzën në këtë rast dhe shtoi se beson që në Hagë është thirrur për të folur për përgjegjësinë për krimet që pretendohet se janë kryer.

Ndërsa, ai shtoi se vetë nuk i ka dokumentuar krimet që pretendohet se janë kryer nga anëtarët e UÇK-së.

Kurse, në seancë private ai ishte pyetur për disa incidente që pretendohet se kanë ndodhur gjatë periudhës së aktakuzës. Dëshmitari tha se asnjëra prej tyre nuk lidhen drejtpërdrejt me Thaçin.

Duke folur për Hashim Thaçin, tha se në gjykimin e tij ai nuk ka qenë një luftëtar dhe se nuk ka asnjë të dhënë që ai mund ta ketë shkrepur ndonjë plumb nga zemërimi.

Dëshmitari James Covey mohoi para Gjykatës në Hagë se i konsideron Agim Çekun dhe Hashim Thaçin si ekstremistë të UÇK-së. Tha se këta dy persona i konsideron të kundërtën e ekstremizmit.

Kurse, për UÇK-në si strukturë, Covey kishte thënë që sipas mendimit të tij, ishte një lëvizje tejet e decentralizuar dhe shpesh “pa lidhje në mes krahëve të saj”. Kishte thënë se UÇK-ja përbëhej nga persona kryesisht të fuqishëm dhe autonom, e që shumica ishin të dhunshëm. Shumica prej këtyre personave, sipas dëshmitarit, kishin pak respekt ose fare për Thaçin.

Lidhur me anëtarët e UÇK-së, në një libër të tij, Covey kishte thënë se Sami Lushtaku ka pasur pozicion drejtues në UÇK. Ai kishte thënë se besohej që Lushtaku ishte përgjegjës jo vetëm për terrorizimin e serbëve por edhe për vrasje të shqiparëve që besohej se kishin bashkëpunuar me serbët.

Sipas Prokurorisë, dëshmitari kishte përmendur faktin se si “Policia po synonte ta prangoste Lushtakun por me shumë të ngjarë nuk do të kishte dëshmitarë për atë”.

Sipas asaj që pretendohet se ka thënë dëshmitari Covey, është rënë dakord me KFOR-in që të mos procedohej më tej kjo punë se duhej të kishte prova të forta për këtë pretendim dhe një forcë civile- ushtarake dhe policore në zonën ku qëndronte Lushtaku.

Lushtaku, sipas asaj që thuhet në librin e dëshmitarit, ishte person i rëndësishëm dhe se arrestim i tij do të kishte krijuar rrëmujë me të cilën duhej të merrej KFOR-i.

Sami Lushtaku njihej si komandant i Zonës në Drenicë dhe kishte reputacionin e një rrugaçi…vendimi për ta arrestuar atë do të merrej kur të kishte prova të mjaftueshme për të përgatitur akuza dhe për të zgjidhur çështje gjyqësore sa më shpejtë. Pra, nuk do të ishte e saktë të thuhet që vendimi ishte që të mos arrestohet ai. Vendimi ishte që përpara se ta arrestoni- siguroni që i keni të gjitha provat dhe burimet e duhura”, tha ai.

Covey po ashtu deklaroi se Sami Lushtaku kishte shumë mbështetje në zonën e tij.

Ai ishte shumë popullor dhe kishte shumë mbështetje në zonën e tij dhe e dinim këtë. Rrugaçët janë të njohur dhe kanë mbështetje. Pra, vendimi ishte që mund ta ndaloni atë në qoftë se i keni elementet dhe provat e mjaftueshme për ta zgjidhur sa më shpejtë”, tha ai.

Dëshmitari shtoi se këtë vendim nuk e ka marrë në konstultim me KFOR-in dhe se Bernard Kouchner nuk ka qenë i përfshirë. Pas kësaj, ishte informuar edhe KFOR-i.

Në anën tjetër, Gjenerali gjerman, Klaus Reinhardt i cili ishte pjesë e komandës së KFOR-it në Kosovë, në ditarin e tij gjatë 1999-ës kishte thënë se Hashim Thaçi sillej si një fëmijë që nuk i jepej lodra e tij.

Sipas ditarit që lexoi prokurorja Vega Iodice, gjenerali Reinhardt kishte thënë për Thaçin se lodra që dëshiron është Presidenca e Kosovës dhe udhëheqja politike në ombrellën e Administratës së Bernard Kouchner.

Pas kësaj, James Covey tregoi se sipas burimeve nga KFOR-i, kishte dëgjuar se pjesëtarët e mbrojtjes së Ibrahim Rugovës ishin vrarë dhe se për këtë sulm përgjegjës ishte Daut Haradinaj.

Nga bisedat me Bernard Kouchner dhe nga ajo që kemi mësuar nga burimet e KFOR-it më vonë, ne e kuptuam që të gjithë truprojat e tij ishin vrarë pothuajse të gjithë. Nuk e di nëse kjo është fushë për të cilën mund të flas unë në mënyrën e duhur pasi unë nuk jam informuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. KFOR-i besonte që vëllai i Ramushit, Daut Haradinajn ishte përgjegjës për këtë sulm”, tha Covey.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari James Peter Covey ka treguar se Hashim Thaçi e kishte dënuar dhunën e ushtruar ndaj pakicave etnike sidomos gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1999.