Çështjet sociale në fushatë: shumë shifra, pak shtet - Gazeta Express
string(50) "ceshtjet-sociale-ne-fushate-shume-shifra-pak-shtet"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

25/12/2025 12:08

Çështjet sociale në fushatë: shumë shifra, pak shtet

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

25/12/2025 12:08

Shkruan: Brikenë Hoxha

Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 po zhvillohen në një moment kur presioni social në Kosovë është real dhe i përditshëm. Kostoja e jetesës është rritur, tregu i punës mbetet i pasigurt, sigurimet shoqërore janë të mangëta dhe pabarazitë sociale po thellohen. Në këtë kontekst, do të pritej që çështjet sociale të ishin boshti kryesor i debateve dhe programeve politike. Ajo që po shohim, megjithatë, është diçka tjetër.

Socialja është shndërruar kryesisht në garë premtimesh financiare. Sa do të rritet paga minimale. Sa do të jetë pensioni. Sa përqind do të rriten pagat në sektorin publik. Shifrat janë të mëdha, premtimet janë tërheqëse, por pyetja thelbësore mbetet pa përgjigje: çfarë modeli social po ofrohet për Kosovën.

Në vend që të diskutohet ndërtimi i një sistemi funksional të mbrojtjes sociale, fushata po e trajton socialen si instrument elektoral afatshkurtër. Rritjet e pagave dhe pensioneve po paraqiten si zgjidhje universale, pa u shoqëruar me analiza serioze të kostos fiskale, qëndrueshmërisë buxhetore dhe ndikimit afatgjatë në zhvillimin ekonomik dhe shërbimet publike.

Ajo që mungon pothuajse në të gjitha programet është debati për shtetin social si sistem. Nuk po flitet mjaftueshëm për sigurimet shoqërore si mekanizëm i qëndrueshëm, për fondin e papunësisë si instrument mbrojtës, për inspektimin e punës si garanci e dinjitetit në tregun e punës, apo për rolin e shërbimeve publike në uljen e pabarazive. Socialja po reduktohet në transfer financiar, jo në ndërtim institucionesh.

Edhe kur përmenden elemente më strukturore, ato mbeten në nivel deklarativ. Premtohen sigurime shëndetësore, por pa afate dhe pa qartësi se çfarë ndryshon realisht për qytetarin në vitin e parë të mandatit. Flitet për mbështetje të familjes, por pa një vizion të plotë për kujdesin ndaj fëmijëve, punën e papaguar dhe pjesëmarrjen e grave në tregun e punës. Përmenden grupet e cenueshme, por pa politika të integruara që shkojnë përtej ndihmës financiare.

Problemi nuk është vetëm mungesa e detajeve teknike. Problemi është mungesa e një narrative të qartë sociale. Nuk është e qartë nëse Kosova synon një model social-demokrat me mbrojtje të fortë publike, një model liberal të bazuar në treg dhe subvencione selektive, apo një përzierje të paqartë masash që ndryshojnë nga fushata në fushatë. Pa këtë qartësi, premtimet sociale mbeten fragmente të shkëputura, jo pjesë e një kontrate të mirëfilltë sociale me qytetarët.

Ka edhe një rrezik tjetër që po neglizhohet. Kur socialja përdoret kryesisht si instrument elektoral, ajo rrezikon të sakrifikojë investimet kapitale, arsimin, shëndetësinë dhe politikat afatgjata të zhvillimit. Një shtet që shpërndan para pa ndërtuar kapacitete, institucione dhe produktivitet, rrezikon të thellojë varësinë sociale në vend që ta zvogëlojë atë.

Zgjedhjet e këtij viti do të duhej të ishin moment reflektimi për drejtimin social të vendit. Jo vetëm sa do të rriten pagat dhe pensionet, por si do të mbrohen punëtorët, si do të funksionojë siguria sociale, si do të garantohet shëndetësia dhe si do të ndërtohet një shtet që nuk reagon vetëm në krizë, por parandalon pabarazinë.

Pa këtë debat, çështjet sociale rrezikojnë të mbeten slogane të bukura për fushatë, por probleme të pazgjidhura për qytetarët edhe pas 28 dhjetorit.

Advertisement
Advertisement
Advertisement