Ceremonia në Kosovë që u bë pjesë e fjalimit me mburrje të Joe Biden pak para zgjedhjeve në SHBA - Gazeta Express
string(96) "ceremonia-ne-kosove-qe-u-be-pjese-e-fjalimit-me-mburrje-te-joe-biden-pak-para-zgjedhjeve-ne-shba"

Gazeta Express

02/11/2020 10:43

Ceremonia në Kosovë që u bë pjesë e fjalimit me mburrje të Joe Biden pak para zgjedhjeve në SHBA

Gazeta Express

02/11/2020 10:43

Më shumë se 4 vjet më parë, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që rrugës nacionale Gjilan-Ferizaj t’ia vënte emrin “Beau Biden”, në nderim të djalit të Joe Biden, atëherë ish-zëvendëspresident i SHBA-së, e tash kandidat i demokratëve për president.

Kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa, në mbledhjen e kabinetit qeveritar kishte thënë se emërtimi i kësaj rruge shumë të rëndësishme të Kosovës me emrin e Beau Biden ishte diskutuar në të gjitha nivelet dhe se ishte një disponim i përgjithshëm që përmes këtij vendimi të tregohet falënderimi dhe mirënjohja e Kosovës për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e institucioneve të vendit tonë, veçmas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lexo Edhe:

Me shumë gjasë atëherë askush s’e ka menduar se 4 vite më pas, Joe Biden gjatë fushatës elektorale ku kërkon votat e amerikanëve për t’u vendosur në krye të shtetit më të fuqishëm në botë, do të krenohej me këtë vendim të Qeverisë së një shteti të vogël si Kosova, shkruan Gazeta Express.

Gjatë fjalimit të tij në fushatën elektorale në Michigan, Biden është shprehur krenar kur ka kujtuar se në Kosovë një rrugë ka marrë emrin e djalit të tij të ndjerë, Beau Biden, si shenjë mirënjohjeje për punën dhe përkushtimin e tij në Kosovë. Ai ka folur edhe për përmendoren e ish-presidentit të SHBA-së, Bill Clinton që ndodhet në Prishtinë.

“Pas një viti të qëndrueshëm kur shërbeu si zyrtar ligjor i SHBA-së, shkoi në Kosovë – o baba, do të jem baba tipik – atje është një përmendore prej mbi 3.5 metrash kushtuar atij, një rrugë e rëndësishme që ata ndërtuan – Rruga “Beau Biden”, për përkushtimin e tij. Biri im u kthye në atdhe me një tufë medaljesh (për shërbim), si shumë të tjerë, para se ta humbte jetën”, ka thënë Biden.

Më 17 gusht 2016, gjatë ceremoninë e emërimit të kësaj rruge me emrin e djalit të tij që u mbajt në Sojevë të Ferizajt, mori pjesë edhe Biden.

Ish-kryeministri Mustafa para të pranishmëve të shumtë ku ishin edhe familja e ish-zëvendëspresidentit Joe Biden dhe shumë personalitete vendore e ndërkombëtare, kishte shprehur bindjen se emërtimi i kësaj rruge me emrin e Beau Biden do ta forconte edhe më shumë lidhjen ndërmjet popullit të Kosovës dhe të SHBA-së.

Duke vlerësuar lartë kontributin e Beau Biden dhënë pas luftës në vënien e themeleve të sistemit juridik në Kosovë, Mustafa kishte thënë se ai meriton të jetë engjëlli mbrojtës i kosovarëve për shkak të historisë së jetës së tij.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor strategjik i Kosovës. Prandaj, edhe pagëzimin e kësaj rruge me emrin Beau Biden, ju lutemi ta shihni si një përpjekje të kosovarëve për të respektuar angazhimin e qindra, mijëra e miliona amerikanëve për çlirimin e Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj. Partneriteti mes dy vendeve tona është natyral. Ne ndajmë vlera të përbashkëta. Prandaj, tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova sheh aleatin e vet të përhershëm, të cilin, presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e ka emërtuar mrekullisht si miqësi të përhershme të dy vendeve që kanë të vendosura lidhje speciale”, kishte thënë Mustafa.

Ai kishte theksuar se “kjo rrugë do ta forcojë edhe lidhjet mes dy popujve dhe shteteve tona”.

Joseph Robinette “Beau” Biden III në vitin 2001, si jurist me përvojë, kishte shprehur vullnetin e tij për të shërbyer në Kosovë. Ai shërbeu si këshilltar i lartë në OSBE-së. Beau Biden ishte marrë me ndërtimin dhe menaxhimin e institucioneve juridike të Kosovës, me ç’rast kishte trajnuar shumë gjykatës dhe prokurorë të rinj. Me punën e tij, ai kishte ndihmuar dhe mundësuar themelimin e sistemit të ri penal juridik në Kosovë. /GazetaExpress/

Joe Biden në Sllatinë të Ferizajt – 17 gusht 2016