Çeltina vulgare / Triptiku urban i përbotshëm - Gazeta Express
string(43) "celtina-vulgare-triptiku-urban-i-perbotshem"

Çeltina vulgare / Triptiku urban i përbotshëm

OP/ED

Gazeta Express

11/08/2022 14:38

Pretendimi se një fëmijë i rëndomtë i moshës jo madhore ka aftësitë intelektuale të dijë dhe të zgjedhë ç’është e mirë për të rrjedhë ujë më shumë se sa nën rrogoz. Një shpjegim më tokësor është se fëmija është i indoktrinuar nga të tjerët përreth tij, nga prindërit ose persona të tjerë me ndikim

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

1.

Ndër habitë (për pak sa nuk mendova: mëkatet) e mediave online është edhe gjahu në rrjetet sociale (ndonjëherë mund të duket sikur ndërkëmbehen) i reagimeve të persona(litete)ve të caktuar/a. Pra, nuk janë vetëm «rrjetet sociale që u japin hapësirë budallenjve». Këtë e kanë bërë edhe mediat, përherë, në një mënyrë a tjetër. Pa harruar se pastaj, ta hajë dreqi, si ta dimë kush nga ne është më budalla se tjetri; kush nga ne e merituaka të jetë i pranishëm e kush jo, me çfarë paraqitjeje e me çfarë përmbajtjeje.

Sidoqoftë – dhe ky mund të jetë vetëm një frustrim i imi – s’ma duron dot mideja të shoh të dhënë si lajm dhe tamam si lajm përçartjen prej pak fjalësh, prej fare pak fjalësh, në rrjete sociale të një personi, pikërisht atë përçartje që do të më irritonte ta dëgjoja edhe në kafene, ku, në fund të fundit, s’është se njeriu edhe do të duhej ta merrte fort seriozisht. Për më tepër që ajo përçartje, në një pako të pandashme me budallallëkun bart edhe hipokrizinë, poshtërimin, urrejtjen, përçmimin, mosdurimin: të gjitha mëkatet (për pak sa nuk mendova: habitë) e qenies së panjerëzishme.

Dreqi e mori, sikur të paktën të dinin të shkruanin në gjuhën amtare, në të cilën i kanë marrë (ç’paradoks!) të paktën 12 vjet edukim! Ose, sikur të paktën të dinin çfarë po duan të thonë!

2.

Duke qenë se arsimimi parauniversitar është i obligueshëm ligjërisht, në të njëjtën kohë nënkupton se deri në përfundim të tij ndjekësit e tij janë subjekte të varura nga të tjerët. Të tjerët janë autoritetet arsimore dhe familja. Por autoriteti arsimor është autoriteti i parë. Është ai që i vendos rregullat e “lojës”. “Viktimë” e tij, në këtë rast, janë edhe vetë prindërit e nxënësve. Duhet ta ndjekin udhëzimin e autoritetit, të cilin, në një mënyrë a tjetër, e kanë vënë në jetë vetë ata. Kundërshtimi i tij pra do të ishte paradoksal. Kosova është shtet laik, me dëshirën dhe vendimin tonë. Për të mirën tonë. Unë prirem të mendoj se është mbi të gjitha dhe përfundimisht për të mirën tonë.

Një fëmijë, nxënës pra, për rrjedhojë, nuk mund të ketë bindje fetare përtej zotësive të tij mendore perceptuese. Përveç përjashtimeve, do të thotë përveç nëse është ndonjë gjeni. Më konkretisht, një nxënëse nuk mund të bartë në shkollë e mbase jo vetëm në shkollë shaminë, si simbol fetar mysliman, apo kryqin, si simbol fetar të krishterë.

Pretendimi se një fëmijë i rëndomtë i moshës jo madhore ka aftësitë intelektuale të dijë dhe të zgjedhë ç’është e mirë për të rrjedhë ujë më shumë se sa nën rrogoz. Një shpjegim më tokësor është se fëmija është i indoktrinuar nga të tjerët përreth tij, nga prindërit ose persona të tjerë me ndikim.

Në raste të tilla, të një indoktrinimi dhe ndikimi të papranueshëm për autoritetet arsimore shtetërore, mund të merren masa ndaj autorëve të tyre. Ka pastaj institucione përkatëse që merren me fëmijët, deri me pasojën që t’u merren prindërve, me arsyetimin se nuk janë të përshtatshëm dhe të zotë për rritjen edhe edukimin e tyre.

Shkurt: mirupafshim në moshën madhore!

3.

Si mund të shpjegohen komentet e Kurtit se vendi ynë kërcënohet nga një luftë e mundshme? Se ka informacione të sakta se mund të sulmohet vendi dhe e gjitha që mund të na thotë është ajo fjali e mjegullt, ashtu siç e gjitha që mund të bëjë – nxjerrë nga ajo që thotë – është të mos bëjë asgjë, duke qenë se s’ka në dorë të bëjë asgjë, s’ka forcë të bëjë asgjë? Që do të thotë se në këtë rast do të duhej t’u kërkonte ndihmë atyre të cilëve u kemi kërkuar ndihmë edhe herën e fundit. Apo po ua kërkonte pa ua kërkuar? Edhe po qe kështu, prapë s’ka kuptim. Sepse ne nuk jemi zot, sa i përket sigurisë, të vendit tonë. Janë të tjerët që ne i konsiderojmë miqtë, aleatët tonë. Porse, ata e dinë më mirë se ne kur kërcënohemi, sa mund të jemi të kërcënuar dhe më e rëndësishmja, sa jemi të kërcënueshëm.

Apo Kurti thjesht po e luante lojën e armikut të tij, duke përdorur dredhitë e tij idiotike, për ta mbajtur sa më larg tavolinës së bisedimeve?