Çeltina vulgare / Banaliteti i të vërtetës - Gazeta Express
string(40) "celtina-vulgare-banaliteti-i-te-vertetes"

Çeltina vulgare / Banaliteti i të vërtetës

OP/ED

Gazeta Express

03/10/2022 16:15

Ndonjëherë akti i përplasjes për surrati të një të vërtete mund të jetë asgjë më shumë se një banalitet. Ose, akti i përplasjes së një të vërtetë ta banalizojë vetë atë të vërtetë. Kur bën vaki kjo, firojnë fare qëllimet e mira për të cilat është thënë. Mbetet vetëm rezultati

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

5.

Banaliteti i të vërtetës

Apo, më afër të vërtetës, banalizimi i të vërtetës?

Pavarësisht se e kemi maje gjuhës definicionin e të vërtetës si të shenjtë, pavarësisht se mbase edhe do të ishim në gjendje të bënim çmos që ta mbrojmë këtë nga çfarëdo përdhosje a mohimi, duhet ta pranojmë pra se ka raste kur akti i përplasjës për surrati të një të vërtete mund të jetë asgjë më shumë se një banalitet. Ose, akti i përplasjes së një të vërtetë ta banalizojë vetë atë të vërtetë. Kur bën vaki kjo, firojnë fare qëllimet e mira për të cilat është thënë. Mbetet vetëm rezultati.

6.

Izolimi i shtëpisë

Një nga këto të vërteta është edhe kjo: shtëpia duhet të izolohet. Në komunikimin tonë të përditshëm, madje në mendimin tonë të përditshëm, ne vazhdimisht e themi këtë: Shtëpia duhet të izolohet – dhe janë një mori arsyesh pse duhet të bëhet kjo, prej atyre (dhe sidomos) praktike deri tek ato estetike.

Por kur këtë e thotë një ministër, një politikan, në një moment delikat të pasigurisë dhe frustrimit qytetar, atëherë vijmë deri tek ai banalitet i të vërtetës. Ose, mbase më drejtë, deri te banalizimi i të vërtetës.

Përplasja e kësaj të vërtete për surrati të qytetarit bën që ky, në pamundësitë e tij materiale, të ndihet i fyer dhe i poshtëruar, i nëpërkëmbur dhe i tallur. Duke i thënë se duhet ta izolojë shtëpinë, ne i themi atij, e para: është një budalla që nuk e dinte një të vërtetë të vjetër sa drita e diellit; e dyta: është një i shkretë që mezi ia del ta sigurojë kafshatën e gojës dhe e gjithë bota e ka marrë vesh se nuk e ka izoluar shtëpinë; e treta: ti ke votuar për ne, që të ta lehtësojmë mënyrën e të jetuarit, të të gjejmë zgjidhje të paktën për problemet elementare, megjithatë, ja ku po të lëmë në lloç, s’do të kesh rrymë tërë dimrin dhe ti, duke qenë se s’ke mundur ta izolosh shtëpinë dhe s’ke si të gjesh ngrohje alternative, do të bëhesh koçan nga të ftohtit.

Megjithatë, nuk mund t’i mbyllim sytë: kur një i huaj vjen në Kosovë, gjëja e parë që i bie në sy janë shtëpitë e pa izoluara.

7.

Izolimi i grevës.

Ndërprerja e grevës dhe fillimi i mësimit me siguri do të jetë festë për nxënësit. Për pushtetin me sa duket, pretendimi i tyre, qe edhe një rruazë më shumë në rruzarën e panfundme të fitoreve të tyre.

E megjithatë, që të mbetemi te regjistri i ngrirë i diskursit, ishte vetëm një izolim. Dhe atë, një izolim që rrjedh, që shtie. Në kuptimin se është arritur të pezullohet greva, por nuk është zgjidhur problemi, nuk është arritur asnjë marrëveshje për përfundimin e plotë të grevës, e cila, me shumë gjasë, do të rifillojë pas tre mujash. Kjo nënkupton se nëse gjërat acarohen dhe palët janë në skaje aq armiqësore siç ishin deri tash, gjasat që mësimi të mos mbahet më fare janë të shumta.

Nga kjo rrjedh se më mirë të vazhdonte edhe pak kohë dhe të gjendej zgjidhja e kënaqshme se sa të shkohet në mësim tre muaj dhe pas kësaj të zhytemi në krizën e pazgjidhshme.

8.

Qëllimi i pushtetit: izolimi i rezistencës.

E qartë fare, synimi dhe lufta e pushtetit është të vrasë rivalitetin, kundërshtimin, të drejtën e kërkesës dhe rezistencës. Për pushtetin e drejta ekziston, por vetëm ajo që e konsideron ai vetë si të drejtë dhe atë të drejtë të distribuueshme. E drejta e distribuueshme në këtë rast është vetëm ajo që e jep pushteti me dëshirën dhe për nevojat e veta; për kënaqësinë e përkrahësve dhe të të nënshtruarve.

Kështu, pavarësisht pasojave, pushteti e izolon rezistencën që të mos frymojë. Njëkohësisht, i vë putrat, izolimin, mbi secilën plasë nga e cila do të mund të shpërthente pakënaqësia.

9.

Një nga manovrat izoluese të pushtetit është edhe tendenca e ndëshkimit të grevistëve me mospagesën e rrogave. Logjika është e thjeshtë dhe e ftohtë si tehu i thikës: për mësuesin e gjorë që mezi arrin të mbijetojë me një pagë kosovare, mosmarrja e saj për qoftë edhe vetëm një muaj të vetëm do të thotë të marrë një grusht që do ta hedhë për toke. Përkatësisht, do ta bëjë të mendojë fort herën tjetër para se ta përkrahë grevën. Më tej, do të thotë ta bëjë të ulë kokën edhe kur vjen puna të kërkojë të drejtën e tij.

10.

Pra pushteti po izolohet për mrekulli ndaj rreziqeve të jashtme. E pret një dimër i ngrohtë dhe i qetë.