Çelet Galeria e Artit të Tiranës - Gazeta Express

Çelet Galeria e Artit të Tiranës

Arte

Gazeta Express

06/11/2021 20:51

Galeria e Artit te Tiranës është institucioni më i ri kulturor që i shtohet kryeqytetit në prag të Vitit Europian të Rinisë, ku Tirana është shpallur kryeqendra e mijëra eventeve artistike e kulturore.

Shtëpia e re e artistëve të artit pamor dhe adhuruesve të pikturës e skulpturës, e para që ngrihet në Tiranën 101 vjet kryeqytet, e ka çelur siparin me një gjest mjaft kuptimplotë duke nderuar punën, veprën dhe jetën e artistëve Arben Bajo dhe Mustafa Arapi, që u ndanë nga jeta për shkak të Covid-19.

Lexo Edhe:

“Sot jam dyfish i emocionuar se dy miq si Mustafa Arapi dhe Arben Bajo, që sot nuk janë me ne fizikisht, dy ikona të qytetit tonë, i kemi përjetësuar duke hapur këtë Galeri të qytetit të Tiranës. Nuk besoj se kishte një mënyrë më të mirë sesa të kujtonim dy superqytetarë të qytetit në këtë hapje, edhe si një kujtesë që në fakt jeta është shumë e brishtë dhe më vjen mirë në fakt që Arben Bajo dhe Mustafa Arapi janë njerëz që jetuan jetën të plotë dhe lanë një gjurmë dinjtoze për qytetin tonë,” u shpreh në çelje të ceremonisë inauguruese të Galerisë së Artit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ky institucion i artit pamor i shtohet muzeve objekteve të trashëgimisë kulturore të restaururara në Tiranë.

“Ka shumë debat në Tiranë, por unë besoj se përtej debateve, përtej sherrnajës së ditës, përtej politizimit të gjithçkaje, vepra ngelet. Sot kemi një muze “Kadare” që s’ishte dje, një muze “Dritëro Agolli”, që po bëhet, e që s’ishte dje, një “Shtëpi të gjetheve” që s’ishte dje, një muze “Bunk’Art” që s’ishte dje, një shtëpi “Saraje” që dje u tentua të digjej për pallat dhe që sot është shpronësuar për Muze Etnografik, dhe një Galeri Tirane që s’ishte dje. Tirana sot i ka kaluar 1 milionë vetë dhe njerëzit jetojnë edhe me art dhe me kulturë, edhe me film dhe me teatër, ndaj më vjen mirë që kemi krijuar një hapësirë të re arti në qendër të Tiranës me të cilën shpresoj shumë që do arrijmë të spikasim vlerat e qytetit tonë,” u shpreh Veliaj.

Veliaj u shpreh po ashtu krenar për Tiranën Kryeqytet Europian të Rinisë që e pret vitin 2022 me një tjetër pol kulturor.

“Mezi pres që vitin tjetër kur do jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë ta kthejmë këtë në një ftesë. E di që Galeria Kombëtare ka një protokoll shumë të rreptë, dy shfaqje në vit, të superkuruara, por ne mund t’i japim mundësi kujtdo që do të shprehë talentin e vet e ta promovojmë. Ashtu sikurse “Whitechapel” u bë zëri i parë në CV-në e shumë artistëve të famshëm, edhe Galeria e Artit të Tiranës do bëhet ndoshta vetëm rreshti i parë në CV-në e atyre që nesër do themi ishim krenarë që i njohëm kur ishin të rinj,” tha kreu i Bashkisë.

GAT do të jetë një Galeri e hapur veçanërisht për artistë të rinj dhe aplikantë në mediumet e reja të artit bashkëkohor. Kjo Galeri do krijojë edhe mundësinë e shumë eventeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare, si: Kolonia e Artistëve të rinj Europianë, Bienalja e Tiranës, Bienalja e Grafikës, Festivale dhe mediume të ndryshme ndërkombëtare. Gjithashtu në Galerinë e Artit të Tiranës do organizohen edhe konkurse mbi formimin e artit pamor në shkollat e mesme, konkursi i krijimeve të Tiranës në vizatime dhe piktura nga shkollat 9-vjeçare publike dhe jopublike, si dhe ceremoni të ndryshme për artistë të njohur dhe aktivitete të tjera atë do e bëjnë një institucion të gjallë dhe dinamik.

Në Galerinë e Artit të Tiranës do të ngrihet edhe Muzeu i Artit Pamor të Tiranës, bazuar mbi bashkëpunimin me artistë nga gjithë Shqipëria./tvklan.al