Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka folur për herë të parë pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Duke e cilësuar këtë kandidaturë si pjesë të një angazhimi të përbashkët politik, Çeku theksoi se politikën nuk e sheh si veprimtari individuale, por si një punë ekipore.
“Unë politikën nuk e shoh as nuk e kam ushtruar më herët si aktivitet individual, për ta huazuar prej terminologjisë sportive. Unë e shoh politikën si punë ekipore. Në atë ekip ka shumë lojtarë dhe ka një staf teknik drejtues ku merren disa vendime. Dhe lojtarët luajnë sipas strategjisë më të mirë për të fituar. Kjo është një punë ekipore. Më është kërkuar dhe jemi dakorduar për të luajtur për një pozicion të caktuar. Kjo është pjesë e kësaj beteje të përgjithshme”, deklaroi Çeku.
Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar dje kandidaturën e tij për të udhëhequr garën për kryeqytetin. Zgjedhjet e rregullta komunale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor, ndërsa gara për Prishtinën pritet të jetë një nga më të fortat.
Çeku aktualisht mban postin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe është një prej figurave të afërta me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti./Telegrafi