Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, thotë se Qeveria Kurti 3 do të bëhet brenda afatit 15 ditësh, pas konstituimit të Kuvendit.
Çeku në një intervistë për KosovaPress, thotë se aktualisht po presin vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur masën e përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re.
“Ne po presim vendimin përfundimtar më 30 shtator, kështu është paralajmëruar nga Gjykata Kushtetuese duhet të bëhet konstituimi apo të konstatohet konstituimi nga Gjykata Kushtetuese, pastaj ne e kemi 15 ditëshin tonë dhe unë jam shumë i sigurt që momentin që konstituohet Kuvendi brenda atij afati do ta kemi qeverinë Kurti3”, u shpreh ai.
Sa i takon vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën, ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku tha se Serbia ka qenë shkaku kryesor që ekzekutivi kosovar ka pas dallime me partnerët ndërkombëtarë.
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.