Çeferin për ndeshjen Serbi-Shqipëri: “Ndeshjet ndërkombëtare duhet të bashkojnë, jo të ndajë njerëzit” - Gazeta Express
string(98) "ceferin-per-ndeshjen-serbi-shqiperi-ndeshjet-nderkombetare-duhet-te-bashkojne-jo-te-ndaje-njerezit"

Futboll

Gazeta Express

11/09/2025 20:29

Çeferin për ndeshjen Serbi-Shqipëri: “Ndeshjet ndërkombëtare duhet të bashkojnë, jo të ndajë njerëzit”

Futboll

Gazeta Express

11/09/2025 20:29

Federata e Futbollit e Serbisë ka vendosur që ndeshjen kthyese për eliminatoret e Botërorit 2026 ndaj Shqipërisë ta zhvillojë më 11 tetor 2025 në stadiumin e Cërvena Zvezdës “Rajko Mitiq” në Beograd, një impiant me kapacitet prej 51,755 vendesh, i njohur edhe si ish-Marakana.

Përpara zhvillimit të kësaj ndeshjeje me rrezikshmëri të lartë, Aleksander Çeferin, presidenti i UEFA-s, ka bërë apel të fortë për respekt dhe siguri. Në një deklaratë për mediat para mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë, Çeferin foli për këtë ndeshje.

“Mesazhi im nuk ka të bëjë vetëm me këtë ndeshje, por me futbollin në tërësi. Sporti duhet të bashkojë njerëzit, jo t’i ndajë. Duhet të largojmë ata që përdorin futbollin për ideologjitë e tyre të padobishme. Këta njerëz nuk e duan futbollin, ata e përdorin vetëm për të përhapur mesazhe që nuk i shërbejnë askujt.”, tha ai.

Shqipëria dhe Serbia u përballën më 7 qershor 2025 në Tiranë, ku ndeshja përfundoi 0:0 pa incidente serioze, edhe pse pati thirrje antiserbe dhe disa hedhje sendeve të vogla në tribunë. Organizimi i ndeshjes u vlerësua shumë pozitivisht nga UEFA, ndërsa Federata Serbe lavdëroi FSHF-në për menaxhimin e situatës.

Kjo nuk është hera e parë që tensionet mes dy kombëtareve shfaqen në fushën e lojës. Më 14 tetor 2014, në Beograd, gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri për kualifikimet e Euro 2016, lojtarët shqiptarë u sulmuan fizikisht nga huliganë, pjesëtarë të sigurisë dhe lojtarë serbë, pas fluturimit të një droni me motive shqiptare mbi stadium. Ndeshja u ndërpre, dhe më pas UEFA, nëpërmjet CAS, e regjistroi rezultatin 3:0 në favor të Shqipërisë.

Në stadiumin “Rajko Mitiq”, Serbia ka zhvilluar edhe ndeshjen kundër Anglisë, ku pati prani të tifozëve anglezë, por siç pritet edhe më 11 tetor, nuk do të lejohen tifozët shqiptarë, ashtu siç nuk pati tifozë serbë në Air Albania më 7 qershor.

Sipas mediave serbe, përfshirë gazetën “Alo”, ekziston mundësia që ndeshja Serbi – Shqipëri të luhet pa shikues, për shkak të thirrjeve provokative dhe flamujve të vendosur mbi hartën e Kosovës gjatë ndeshjes Serbi – Angli.

Në rast të ndëshkimit, Federata e Futbollit e Serbisë mund të përballet me masë më të ashpër, duke përfshirë edhe mbylljen e stadiumit për këtë takim.

Federata Shqiptare e Futbollit pritet të ndjekë nga afër zhvillimet dhe të sigurojë që ndeshja të zhvillohet në kushtet më të sigurta të mundshme për lojtarët dhe tifozët.

Çeferin ka përmendur gjithashtu rëndësinë që të shmangen tensionet dhe incidentet që mund të ndodhin për shkak të politikës dhe ideologjive, duke theksuar se futbolli është një sport që duhet të bashkojë kombet, jo të krijojë përplasje. /GazetaExpress/