string(78) "cas-i-e-refuzon-ankesen-e-kosoves-per-rumanine-mbetet-ne-fuqi-vendimi-i-uefa-s"

Sport

Gazeta Express

05/05/2025 17:54

CAS-i e refuzon ankesën e Kosovës për Rumaninë, mbetet në fuqi vendimi i UEFA-s

Sport

Gazeta Express

05/05/2025 17:54

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e ka refuzuar ankesën e Federatës së Futbollit të Kosovës, ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë dhe UEFA-s.

Këtë vendim, CAS-i e ka publikuar gjatë ditës së sotme, shkruan “Gazeta Express”.

FFK-ja ishte ankuar për ndeshjen e 15 nëntorit të vitit të kaluar ndaj Rumanisë. Federata e Futbollit e Kosovës ka kërkuar që UEFA ta mbajë përgjegjëse Rumaninë për veprimet në atë ndeshje dhe ka kërkuar që t’i anulohet gjoba prej 6 mijë eurosh.

Megjithatë, edhe CAS-i u pajtua me UEFA-n, duke thënë se ndeshja u ndërpre pasi lojtarët e Kosovës, njëanshëm u larguan nga kjo ndeshje.

“Paneli shqytrtoi provat dhe arriti në përfundim se lojtarët e Kosovës morën vendim të njëanshëm për të lënë fushën, në mungesë të një udhëzimi të vlefshëm nga gjyqtari dhe ishin përgjegjës për ndërprerjen e ndeshjes. Paneli pranoi se vendimi i lojtarëve të Kosovës u mor për shkak të disa brohoritjeve. Ndërsa ato ishin të papranueshme dhe ishin subjekt i sanksioneve të tjera nga UEFA, ato nuk mund të justifikojnë braktisjen e fushës nga ekipi kombëtar i Kosovës. I takonte gjyqtarit të vendoste për hapat që duheshin ndërmarrë”, thuhet në vendimin e CAS-it.

CAS-i ka vlerësuar se fajtorë për ndërprerjen e kësaj ndeshje janë vetëm lojtarët e Kosovës, që e lëshuan fushën.

“Paneli vuri në dukje se lojtarët e Kosovës refuzuan qartë të ndiqnin udhëzimet e gjyqtarit që të ktheheshin në fushë dhe të vazhdonin ndeshju. Paneli vendosi që FFK-ja e federata rumune ishte përgjegjëse për mospërfundimin e ndeshjes. Ankesa e FFK-së hidhet poshtë dhe vendimi i kontestuar mbështetet”, përfundon vendimi i CAS-it.

Ish-avokati i FFK-së, Taulant Hodaj kishte paralajmëruar se ky rast do të humbet. Ai madje në një letër të dorëheqjes që ia kishte dërguar Agim Ademit e FFK-së, e kishte akuzuar kryetarin Ademi për sabotim të qëllimshëm të lëndës.

“Sabotimi i rastit në CAS Lozanë kundër Rumanisë: Qysh në fillim keni hezituar dhe vendosni pengesa të pashpjegueshme, tani së fundi keni vendosur të hiqni nga dëshmia dëshmitarët kryesorë – lojtarët, trajnerin dhe mua – duke dobësuar qëllimisht çështjen. Ky veprim i ka dëmtuar rëndë shanset e Kosovës për të arritur drejtësi”, thuhej ne letren e Hodajt dërguar Agim Ademit dhe FFK-së.

Më 20 nëntor të vitit të kaluar, UEFA kishte vendosur që Kosova ta humbë ndeshjen në tavolinë me rezultat zyrtar dhe të dënohet me 6 mijë euro gjobë.