Legjenda e Real Madridit, Dani Carvajal, ka dërguar një paralajmërim të fortë për Trent Alexander-Arnold në prag të sezonit të ri, duke komentuar ardhjen e anglezit në klub.
Pas javësh spekulimesh, muajin e kaluar u konfirmua se Alexander-Arnold kishte lënë klubin e fëmijërisë, Liverpool, për t’iu bashkuar Real Madridit përpara Kupës së Botës për Klube. Që nga ajo kohë, mbrojtësi anësor ka zhvilluar tre paraqitjet e tij të para me fanellën e “Los Blancos”. Pas një nisjeje të vështirë ndaj Al Hilal, 26-vjeçari tregoi përmirësim në ndeshjet kundër Pachuca-s dhe RB Salzburg.
Për sezonin e ri, pritet gjerësisht që Alexander-Arnold të jetë zgjedhja e parë e trajnerit të ri, Xabi Alonso, në krahun e djathtë të mbrojtjes – duke zëvendësuar Carvajal, i cili po rikthehet nga një dëmtim serioz në gju.
Duke folur së fundmi, 33-vjeçari spanjoll u shpreh se pas muajsh rikuperimi, është “gati për të konkurruar”, duke i dërguar një sinjal të qartë Alexander-Arnoldit.
Sipas Defensa Central, Carvajal deklaroi:
“Kanë kaluar nëntë muaj dhe jam gati të konkurrroj. E njoh veten dhe e di që nëse më lejojnë të hyj në fushë, do të jap gjithçka, pa frikë, me 100%, dhe do të luftoj për çdo top që nga momenti i parë. Ajo që do ta ndiej është mungesa e ritmit dhe intensitetit, sepse është e natyrshme pas një mungese të gjatë.”
Carvajal gjithashtu pranoi se ishte “logjike” që klubi të sillte një lojtar si Alexander-Arnold.
“Në nivel profesional, është logjike: në çdo skuadër dhe çdo pozicion vijnë emra të rinj. E marr si një sfidë personale – më pëlqen të konkurroj. Të kesh përpara sfida të rëndësishme, dhe shpresoj që kjo konkurrencë, e shëndetshme, e theksoj, ta bëjë skuadrën shumë më të mirë.
Trent është përshtatur në mënyrë fenomenale, i ka trajtuar të gjithë në mënyrë fantastike. Ka pasur një lidhje të ngushtë me Jude-in, por është shumë miqësor me të gjithë. Kur kemi pasur pasdite të lira, ka dalë me ne për të bërë një shëtitje, për darkë – dhe është vërtet, vërtet një djalë i mrekullueshëm.”
Gjatë konferencës së tij të parë për shtyp si lojtar i Real Madridit, Alexander-Arnold u pyet drejtpërdrejt për Carvajal, dhe e lavdëroi spanjollin duke thënë:
“Është një lojtar fantastik. Ka gjithë respektin që meriton – ka fituar shumë.”
Alexander-Arnold dhe Real Madrid rikthehen në fushë për Kupën e Botës për Klube të martën mbrëma kundër Juventusit, në “Hard Rock Stadium”.