Michael Carricku nuk e di se kur Matthijs de Ligt do të jetë sërish gati për të luajtur.
Kanë kaluar më shumë se 100 ditë që nga paraqitja e fundit e De Ligtit për Manchester Unitedin, kur ai luajti të 90 minutat në fitoren 2-1 ndaj Crystal Palacet në nëntor.
Në atë kohë, ish-trajneri i Unitedit, Ruben Amorimi, e minimizoi një problem “të vogël” me gjendjen fizike të De Ligtit dhe priste që ai të rikthehej për përballjen kundër Wolverhamptonit më 8 dhjetor.
Por, pas disa rikthimeve të pasuksesshme, holandezi ende nuk është kthyer nga një problem në shpinë.
Madje, ka dyshime nëse ai do të luajë para përfundimit të sezonit.
I pyetur nëse ekziston mundësia që De Ligti të mungojë për pjesën tjetër të sezonit, Michael Carricku dha një vlerësim të sinqertë të situatës, ndërsa Unitedi lufton për një vend në Ligën e Kampionëve.
“Sinqerisht, është e vështirë të thuhet. Mendoj se kjo vjen thjesht sepse ka marrë kaq shumë kohë,” tha ai.
Carricku vazhdoi: “Po, nuk mund t’ju jap më shumë informacion për këtë, në fakt. Është një nga ato gjëra me shpinën që ndonjëherë mendon se është në rregull dhe pastaj, papritur, nuk është më në rregull.
Pra, thjesht po tregojmë durim dhe po punojmë me të, dhe do të duhet të shohim. Sigurisht që do t’i japim kohë dhe do të përpiqemi ta rikthejmë sa më shpejt që të mundemi. Por është vërtet e vështirë të thuhet. Nuk po përpiqem të fsheh asgjë.
Fjalë për fjalë, për momentin nuk e dimë, kështu që duhet të presim dhe të shohim”.
“Është si çdo dëmtim. Bëhet fjalë për të gjetur balancën e duhur. Disa janë pak më të thjeshtë se të tjerët. Po, është ajo që është, në fakt. Shpresojmë që ai po përmirësohet. Nuk po përmirësohet aq shpejt sa shpresojmë të gjithë, por do të shohim si do të shkojë”, shtoi ai.
Mungesa katërmujore e De Ligtit ka ngritur mundësinë që ai mund të ketë nevojë për operacion.
“Nuk dua të futem në atë temë në këtë fazë,” tha Carricku për mundësinë e operacionit. “Natyrisht që do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar Matta”.
“Mendoj se do ta ndihmojë rikthimin dhe çfarëdo që të kërkohet, po punojmë për këtë tani për të qenë të sinqertë. Shpresojmë që ai të rikthehet më shpejt sesa më vonë dhe gjithçka të jetë në rregull që të vazhdojmë përpara”, e mbylli Carricku./GazetaExpress/