“Carmina Burana” – metafora e një fati: nga dorëshkrimet e gjetura te fama e përbotshme - Gazeta Express
string(82) "carmina-burana-metafora-e-nje-fati-nga-doreshkrimet-e-gjetura-te-fama-e-perbotshme"

Arte

Donjeta Abazi

22/06/2025 15:58

“Carmina Burana” – metafora e një fati: nga dorëshkrimet e gjetura te fama e përbotshme

Arte

Donjeta Abazi

22/06/2025 15:58

Më 20 dhe 21 qershor, tri institucionet më të rëndësishme të artit interpretues; Baleti, Opera dhe Filharmonia i sollën publikut të Kosovës premierën “Carmina Burana”, nën dirigjimin e Toshio Yanagisawa dhe me koreografi të Antonio Candeloros

Skena e përbashkët në AMC Hall solli njërën ndër përvojat më të veçanta që publiku ynë ka mundur ta përjetojë për një kohë goxha të gjatë. Mjeshtëria ndërkombëtare dhe ajo vendore, pos që sollën finesën e artit elitar, po ashtu kishin edhe një bashkëpunim të vlefshëm dhe të dobishëm për skenën kulturore.

Car Orff, pas suksesit të madh të “Carmina Burana” u shpreh: “Kjo është muzika ime. Nga tani e tutje, harroni gjithçka që kam shkruar më parë.”

Historiku i asaj që shijuam në mbrëmjen e 20 e 21 qershorit

“Carmina Burana” është një kantatë skenike madhështore e kompozuar nga Carl Orff në vitet 1935–1936, bazuar në një përzgjedhje tekstesh mesjetare latine, gjermane dhe të frëngjishtes së vjetër. Tekstet u zbuluan në një dorëshkrim të shekullit XIII të quajtur Codex Buranus, i gjetur në manastirin Benediktin të Benediktbeuern (Gjermani), dhe përfshijnë poezi rreth fatit, dashurisë, pijes dhe natyrës njerëzore. Orff përzgjodhi 24 nga këto poezi dhe i bashkoi në një vepër të vetme muzikore që e titulloi “Carmina Burana”. Kantata u dha premierë më 8 qershor 1937 në Operën e Frankfurtit dhe arriti sukses të menjëhershëm. Lëvizja më e njohur e saj, “O Fortuna”, është bërë një nga pjesët më të njohura të muzikës klasike në kulturën popullore.

‘O Fortuna’, fuqia e fatit mes publikut tonë

Lëvizja hapëse dhe mbyllëse e premierës është pjesa e ‘O fortuna,’ e cila që më e njohur për publikun tonë, kjo bazuar në reagimin që ata patën. Është më e njohur përgjithësisht prandaj mund të jetë edhe për ne. Rryma delikate që e prek çdo lëvizje, çdo interferim skenik, çdo zë të filharmonisë dhe çdo shkundje të instrumenteve kalon përtej të qenit historike dhe e fuqishme si dhe bëhet gradualisht një himn i natës:

“si hëna luhatesh,

rritesh dhe zbehesh,

jeta të shtyp si një lojë,

pa mëshirë e zbrazët, e zymtë.”

“O fortuna” është bazuar në një poezi latine të shekullit XIII, që rrëfen për forcën e verbër dhe të paepur të fatit. E krejt kjo fuqi në skenë e vë në plan të dytë tekstin për ata që shijojnë vijën melodike që di të tërheqë. Prandaj është krejt e veçantë mënyra së si kjo pjesë e kantatës u bë më e famshmja, ani pse teksti është i ndërtuar mbi një bazë interesante, asaj të kërkimit të një fati të paepur përmes një perëndie që i bën njerëzit herë të fuqishëm e herë të rrënuar. Publiku nuk e ndien si tragjedi këtë pjesë të kantatës, ose e ndjen si tragjedi prandaj e bën kaq të dashur për ta. Më të lehtë për t’u kuptuar jo veç në interpretimin e filharmonisë dhe operës, e bëjnë lëvizjet dhe loja e balerinëve që thërrasin përmes gjuhës së tyre të trupit nga akti i fortunës, luftës, mbijetesës deri tek paqja, me ngritjen e njërës prej balerinave në pjesën e fundit të aktit.

Zemra, trupi dhe shpirti i kantatës

Orkestra e Filahrmonisë në Carmina Burana, luan një rol themelor. Kompozimi i Carl Orff-it është ritmik, energjik dhe i drejtpërdrejtë, me shumë instrumente, të cilat i japin veprës intensitetin dhe dramatizmin karakteristik. Orkestra krijon bazën shpirtërore dhe atmosferike të secilës pjesë, nga himni dramatik “O Fortuna” te pjesët më delikate për dashuri dhe natyrë. Filharmonia është motori emocional dhe strukturor i kantatës, ajo jo vetëm shoqëron por udhëheq rrëfimin muzikor.

Opera, zëri kori dhe solistët janë shpirti që i japin fjalës jetë në kantatë. Vetë “Carmina Burana” është një vepër korale, teksti është i vendosur në qendër dhe shpërfaqet përmes solistëve (soprano, tenor dhe bariton). Këta zëra sjellin në jetë temat mesjetare të fatit, dashurisë, epshit dhe pijes. Solistët dhe kori përçojnë përmes zërit emocionin e menjëhershëm dhe gjuhën dramatike të teksteve mesjetare, duke i kthyer poezitë në përjetime të gjalla.

Baleti është trupi që përkthen emocionin muzikor në gjuhën e lëvizjes. Ani pse “Carmina Burana” nuk u konceptua fillimisht si një balet, Carl Orff e përkufizoi si “kantatë skenike”, duke e imagjinuar që të shoqërohej me imazhe dhe lëvizje. Në shumë inskenime moderne, baleti është përfshirë si një element i fuqishëm vizual dhe simbolik, kjo ndodhi edhe në mbrëmjen e 20 e 21 qershorit, ku pikë e fuqishme ishte padyshim pjesëmarrja e trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës. Loja e balerinëve përforcon përmbajtjen dramatike të veprës dhe ndihmon publikun të përjetojë jo vetëm përmes veshit, por edhe përmes syrit. Baleti vizualizon dhe trupëzon emocionet e muzikës, duke krijuar një sintezë të fuqishme mes zërit, trupit dhe tingullit.

Rëndësia e bashkëpunimit në rrafshin kulturor

Kjo shfaqje solli një bashkëpunim unik mes tre institucioneve më të rëndësishme artistike në vend: Baletit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë së Kosovës, dhe Operës së Kosovës.

Nën dirigjimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa dhe me koreografinë ekspresive të Antonio Candeloro-s, ky produksion flet jo vetëm për fuqinë e artit, por edhe për potencialin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në fushën e kulturës. Për herë të parë, këto institucione ndërthuren në një skenë të përbashkët, duke sjellë një vepër që kërkon përkushtim të lartë artistik, ndjeshmëri kolektive dhe vizion të përbashkët.

Ky projekt është dëshmi se kultura në vendin ton jo vetëm që është në rritje por edhe hapur ndaj standardeve ndërkombëtare dhe dialogut artistik me botën. Përmes një vepre që trajton fatin, jetën dhe pasionin njerëzor, publikut iu ofrua një përvojë e rrallë ku muzika, vallëzimi dhe zëri bashkohen në një formë të plotë shprehjeje skenike.

Biografi e shkurtër e Carl Orff (1895–1982)

Carl Orff ishte një kompozitor dhe pedagog gjerman, i njohur kryesisht për kantatën skenike “Carmina Burana” (1936), një nga veprat më të njohura të muzikës së shekullit XX.

Ai ishte gjithashtu themelues i metodës “Orff Schulwerk”, një qasje e re dhe krijuese për edukimin muzikor të fëmijëve.

Stili i tij karakterizohet nga ritme të forta, perkusione të theksuara dhe tekstura të thjeshta por të fuqishme. Orff besonte në fuqinë e muzikës si përvojë trupore dhe kolektive.

Biografi e koreografit Antonio Candeloro

Antonio Candeloro është një koreograf italian, i njohur për punën e tij bashkëkohore në balet dhe teatër skenik. Ai ka krijuar koreografi për disa produksione evropiane të rëndësishme, shpesh duke ndërthurur *lëvizjen moderne me strukturën klasike të baletit.

Në projektin e “Carmina Burana”, Candeloro ka interpretuar muzikën e Orff-it përmes një gjuhe trupore të fuqishme dhe simbolike, që e lidh thellë baletin me emocionin dhe ritmin dramatik të veprës.

Biografi e dirigjentit Toshio Yanagisawa

Toshio Yanagisawa është një dirigjent japonez me karrierë ndërkombëtare. Ai është i njohur për interpretimet precize dhe të fuqishme të repertorit simfonik dhe vokal, duke përfshirë edhe vepra të mëdha si Carmina Burana.

Yanagisawa ka drejtuar orkestra të shumta në Evropë dhe Azi, dhe njihet për ndjeshmërinë artistike dhe kontrollin teknik në skenë, duke i dhënë jetë veprave përmes një interpretimi të thellë dhe të pasur emocionalisht.

/Gazeta Express