Carlos Cuesta është emëruar zyrtarisht trajner i skuadrës italiane Parma, duke shënuar një moment historik për futbollin italian. 29-vjeçari spanjoll u bë trajneri më i ri në Serie A në gati 100 vite dhe i dyti më i ri në histori që drejton një klub në elitën italiane.
Me origjinë nga Spanja, Cuesta e nisi karrierën e tij si trajner në ekipet e të rinjve të Atletico Madrid. Në vitin 2020 u bashkua me Arsenalin si ndihmës trajner nën drejtimin e Mikel Artetës, ku qëndroi për pesë vite.
Parma njoftoi se Cuesta ka firmosur një kontratë dyvjeçare me opsion për një vit shtesë. Ai nuk është i panjohur me futbollin italian, pasi më herët ka punuar për dy vite si ndihmës trajner te skuadra U17 e Juventusit.
Kur të drejtojë ndeshjen e tij të parë zyrtare në Serie A me Parmën – që për ironi të fatit është pikërisht ndaj Juventusit – Cuesta do të jetë 30 vjeç e 26 ditë.
Emërimi i tij vjen pas largimit të trajnerit të mëparshëm, Cristian Chivu, i cili javën e kaluar u largua nga Parma pasi e siguroi mbijetesën në Serie A dhe mori drejtimin e Inter Milanit./GazetaExpress/