Fabio Capello siguroi se Milani mund ta rikuperojë diferencën prej shtatë pikësh në garën për titull kundër Interit.
“Te Real Madrid kam rikuperuar një diferencë prej nëntë pikësh nga Barcelona,” tha ai.
Avantazhi kishte qenë 10 pikë deri mbrëmë, kur goli i Pervis Estupiñán i dha Milanit fitoren 1-0 ndaj rivalëve të qytetit.
Tani gara për titull është rihapur sërish, edhe pse shtatë pikë diferencë me 10 ndeshje të mbetura mbetet një pengesë e madhe.
“Interi ende ka një avantazh të madh, por mendoj se mbi të gjitha tani është çështje psikologjike,” tha Capello në rolin e tij si analist në “Sky Sport Italia”.
“Në çdo ndeshje kohët e fundit, Interi ka alternuar momente futbolli shumë të mirë me të tjera jashtëzakonisht të ngadalta. Kjo u jep mundësi kundërshtarëve t’u krijojnë probleme.”
Ai u pyet se si trajneri Cristian Chivu mund ta zgjidhë mungesën e vazhdimësisë dhe intensitetit në lojën e Interit.
“Ata duhet të luajnë me më shumë përulësi dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin, diçka që nuk e kam parë mjaftueshëm kohët e fundit tek Interi,” shtoi Capello.
Ndërkohë, Milani është në formë të mirë dhe ka avantazh ndaj skuadrave që luftojnë për top-4, kështu që praktikisht nuk ka asgjë për të humbur – gjë që sipas ish-trajnerit të kuqezinjve mund të jetë shumë e rëndësishme.
“Ata kanë një kalendar mjaft të mirë ndeshjesh, kështu që pse të mos përpiqen të rikuperojnë terren ndaj vendit të parë? Unë e kam bërë këtë me Real Madridin, duke rikuperuar nëntë pikë ndaj Barcelonës, pikërisht sepse ata u relaksuan nga avantazhi i madh.
Interi duhet të ketë shumë kujdes që të mos bëjë të njëjtin gabim. Rreziku tani është që lojtarët të mos kenë të njëjtin besim dhe focus”.
Capello u pyet edhe se çfarë do t’u thoshte lojtarëve të Milanit nëse do të ishte në vendin e Massimiliano Allegri.
“Mendoj se duhet t’u thotë se pothuajse e kanë arritur objektivin e tyre, kështu që tani është koha të argëtohen dhe ta shijojnë lojën. E pashë Interin shumë të zbehtë, pa forcë dhe vendosmëri. Nuk e di pse, por Interi nuk e luajti derbin me qëndrimin e duhur.
U befasova nga sa ngadalë e qarkullonin topin Nerazzurrët. Ndoshta u mungoi Hakan Çalhanoğlu në mesfushë”.
Lautaro Martínez mungoi për shkak të një dëmtimi, por kërkoi të ishte në stol vetëm për të qenë pranë shokëve të skuadrës.
“Lautaro është një kapiten i vërtetë, një nga ata lojtarë që mund ta zgjojë ekipin, të vrapojë kudo dhe të punojë shumë, jo vetëm të shënojë gola. Pikërisht kjo vendosmëri është ajo që Interit po i mungon tani,” përfundoi Capello./GazetaExpress/