E gjithë bota është paralizuar për shkak të koronavirusit.
Për shkak të përhapjes së COVID-19, u desh të ndërpritet edhe futbolli.
Shumica e futbollistëve tashmë janë në karantinë, ashtu si gjithë qytetarët nëpër botë pasi kjo është mënyra e vetme dhe më e mira për ta luftuar këtë armik të padukshëm.
Futbollistët, tashmë të izoluar nëpër shtëpitë e tyre, po gjejnë kohë për të komunikuar me shokët.
Së fundmi, kanë komunikuar ish dyshja e Real Madridit, Canavaro dhe Iker Casillas.
Sipas legjendës së Italisë “Në Kinë kanë qenë të përgatitur, kudo që shkoja më matnin temperaturën, rregullat i respektonin gjithë qytetarët, shkoja në stërvitje më matnin temperaturën, shkoja në bankë më matnin temperaturën, në dyqane, kudo, thjesht fantastike”.
Ai gjithashtu thotë se “kam pasur fatin e keq që në këtë kohë të gjendem këtu (Kina), e jo pranë familjes”, derisa tregon se situata pothuajse është normalizuar në krahasim me muajin janar dhe shkurt.
Ndër të tjera, Canavaro nga Kina dha mesazh që të përcillet shembulli i kinezëve që arritën shumë shpejt të mbyllin gjithçka dhe të mos lejojnë përhapjen e virusit ani pse kanë miliona banorë, ndryshe siç po shihet në Itali që numri i të vdekurve po shkon pothuajse dyfishi sa kanë vdekur në Kinë.
Italiani porositi të gjithë “qëndroni në shtëpi, është e vetmja mënyrë, e vetmja për ta luftuar këtë virus. Vetëm duke qëndruar në shtëpi mund ta ndalojmë. Ju lutem mos dilni nga shtëpia”.
Ndër të tjera Cannavaro flet se si në Itali nuk e merrnin shumë seriozisht, ndërsa është dashur të përgatiten që sot mos të kenë kaq shumë vdekje.
Numri i të vdekurve ka shkuar mbi 5.400, më shumë se në çdo vend tjetër të botës. /Gazeta Express/