Mbrojtësi i Juventusit dhe reprezentuesi italian Andrea Cambiaso ka reaguar ndaj zërave të vazhdueshëm që e lidhin me një transferim te gjigantin e Premierligës, Manchester City, duke deklaruar se ishte “duke humbur durimin” me këto spekulime, të cilat ai këmbëngul se nuk kanë qenë kurrë afër të realizohen.
Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, Cambiaso konfirmoi se, megjithëse kishte interes nga skuadra e Pep Guardiolës, ai nuk ka qenë asnjëherë pranë largimit nga “Zonja e Vjetër”.
Ai sqaroi se lidhjet me “Cityzens” dolën në pah në fillim të vitit, por përgënjeshtroi menjëherë idenë e një transferimi të afërt:
“A isha gati për të bërë gati valixhet për në Manchester, në shtëpinë e City? Ka pasur interes janarin e kaluar, asgjë më shumë. Nuk kam qenë pranë për t’u përshëndetur me Juventusin, nuk kam bërë asnjë deklaratë në këtë drejtim, përkundrazi. I nderuar, po, por jo më shumë se kaq.”
25-vjeçari foli gjithashtu për frustrimin që ndiente duke parë emrin e tij vazhdimisht të lidhur me një transferim në Angli, veçanërisht në një periudhë kur forma e tij kishte rënë. Ai theksoi se, megjithëse zërat ishin të bezdisshëm, ato nuk e ndikuan fokusin apo paraqitjet e tij me Juventusin:
“Ishin bezdisës, por bota jonë është e tillë dhe nuk mund të bësh asgjë. Ishte e qartë që nuk ishte arsyeja e rënies sime në formë, por ndoshta po të isha në vendin e tjetrit, do të mendoja njësoj. S’ka problem.”
Mbrojtësi i vlerësuar, i përshkruar shpesh si një “lojtar 3D” për shumëfunksionalitetin e tij në fushë, ritheksoi përkushtimin e tij ndaj Juventusit dhe garës për Scudetto nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti./GazetaExpress/