Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar idenë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë, duke e cilësuar si të rrezikshme për cilësinë e procesit zgjedhor dhe përfaqësimin demokratik në Kosovë.
Sipas Cakollit, një proces i tillë do të nënkuptonte tre fletëvotime për secilin qytetar, tri nivele kandidatësh dhe procedura shumë të ndërlikuara për t’u menaxhuar nga komisionerët që shpesh janë të papërgatitur për sfida të tilla. Ai theksoi se kjo do të shkaktonte ngarkesë të tepruar mbi trupat menaxhuese të zgjedhjeve dhe do të prodhonte paqartësi të theksuar për vetë votuesit.
“Në një situatë të tillë, rriten ndjeshëm gjasat për gabime teknike, vota të pavlefshme, kontestime dhe rinumërime të stërzgjatura,” paralajmëroi ai.
Cakolli po ashtu akuzoi partitë politike, veçanërisht partinë e parë, se po e shtyjnë përpara këtë ide jo për arsye të qëndrueshme, por si përpjekje për të gjetur një “zgjidhje” për krizën që vetë e kanë krijuar.
“Në vend që të merren vesh mbi bazën e mandatit të fituar më 9 shkurt, po orientojnë vendin drejt një formule që përzien dy procese të ndara vetëm për të krijuar një rifillim artificial,” theksoi ai, duke shtuar se nëse rezultati i zgjedhjeve parlamentare do të jetë i përafërt me atë të mëparshëm, atëherë i gjithë ky proces është një manovër për të zbutur tensionet politike, për të fshirë vijat e kuqe dhe për të legjitimuar një bashkëpunim që aktualisht refuzohet publikisht.
Në përfundim, ai nënvizoi se zgjedhjet janë një instrument thelbësor i demokracisë, por nuk mund të shfrytëzohen si zëvendësim për përgjegjësinë politike.
aaaaa