Eugen Cakolli nga KDI ka thënë që ideja që zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbahen në të njëjtën ditë është e papërgjegjshme dhe se rrezikon ta dëmtojë seriozisht cilësinë e procesit zgjedhor dhe përfaqësimit demokratik.
Sipas tij një gjë e tillë do të ishte paqartësi e madhe për votuesin.
“Ideja që zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mbahen në të njëjtën ditë është e papërgjegjshme dhe rrezikon të dëmtojë seriozisht cilësinë e procesit zgjedhor dhe përfaqësimit demokratik. Tri fletëvotime për çdo qytetar, tri nivele kandidatësh, procedura të ndërlikuara, komisionerë të papërgatitur, ngarkesë për trupat menaxhuese të zgjedhjeve, dy lloj fushatash – dhe mbi të gjitha, paqartësi e madhe për votuesin. Për më tepër, rriten gjasat për gabime “teknike”, vota të pavlefshme, kontestime dhe rinumërime të gjata.”
Cakolli ka thënë se në vend që partitë politike të merren vesh mbi bazën e mandatit të fituar më 9 shkurt, po orientohen drejt një formule që përzien dy procese të ndara, vetëm për të krijuar rifillim artificial.
“Ky skenar nuk po shtyhet përpara sepse është i arsyeshëm, por sepse partitë politike, e sidomos partia e parë, po kërkojnë një “zgjidhje” për krizën që vetë e kanë krijuar. Në vend që të merren vesh mbi bazën e mandatit të fituar më 9 shkurt, po orientohen drejt një formule që përzien dy procese të ndara, vetëm për të krijuar një rifillim artificial. Dhe nëse rezultati i zgjedhjeve parlamentare pritet të jetë përafërsisht i njëjtë, atëherë kjo është thjesht një manovër për të zbutur tensionet dhe retorikën, për të larë vijat e kuqe, dhe për të justifikuar një bashkëpunim që sot po refuzohet. Zgjedhjet janë mjet i demokracisë – por nuk mund dhe nuk duhet të përdoren për të zëvendësuar përgjegjësinë politike.”
aaaaa