string(107) "cakolli-i-reagon-abdixhikut-qe-kritikoi-shoqerine-civile-flasim-kur-shteti-ngec-opozita-seshte-e-paprekshme"

Lajme

Gazeta Express

30/05/2025 12:48

Cakolli i reagon Abdixhikut që kritikoi shoqërinë civile: Flasim kur shteti ngec, opozita s’është e paprekshme

Lajme

Gazeta Express

30/05/2025 12:48

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka reaguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosvoës, Lumir Abdixhiku, i cili mbrëmë në Pressing të T7 ka kritikuar shoqërinë civile dhe ka akuzuar për mungesë reagimi për katër vjet pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje.

Abdixhiku mbrëmë tha se shoqëria civile, akademia e njerëz integral të vendit objektivin dhe betejën politike duhet ta bëjnë me pushtetin, “me më të fortin, e jo më atë në opozitë” meqë, sipas tij, nuk ke se çfarë t’i thuash atij që është në opozitë.

Cakolli tha se si shoqëri civile flasin kur shteti është në ngërç dhe dhe kur përfaqësuesit politikë – pozitë apo opozitë – nuk ushtrojnë funksionet e tyre.

Ai tha se është e padrejtë edhe të thuhet se kanë heshtur për katër vjet meqë, sipas Cakollit, kanë qenë zëri i vëtëm në thirrjet për transparencë.

“Kur llogaridhënia trajtohet si monolog kundër pushtetit, e jo si standard ndaj kujtdo që mban mandat publik, nuk po mbrohet demokracia, por komoditeti politik. Si shoqëri civile, nuk jemi këtu për të dekoruar retorikën e askujt. Ne flasim kur shteti ngec dhe kur përfaqësuesit politikë – pozitë apo opozitë – nuk ushtrojnë funksionet e tyre. Mbi të gjitha, është e padrejtë të thuhet se kemi heshtur për katër vite, kur shpesh kemi qenë zëri i vetëm në thirrjet për transparencë, integritet dhe zgjidhje”.

Cakolli thotë se LVV e ka barrën kryesore në krizën aktuale  dhe tha se këtë e kanë artikuluar “hapur, pa ekuivok dhe vazhdimisht”, por shton se as opozita s’është e paprekur.

“Por, JO, kjo nuk do të thotë se të tjerët kanë luksin e papërgjegjësisë. Ideja se opozita është e paprekshme nga kritika, se kriza është “monopol” i pushtetit, apo se ndarja e përgjegjësisë është padrejtësi, është kundër çdo logjike institucionale. Në një realitet pa shumicë, çdo refuzim sistematik i dialogut dhe i çdo formule zgjidhjeje është pjesë e bllokadës, pavarësisht pozitës që mban”.

Cakolli thotë se nëse askush nuk ndryshon qasje, edhe zgjedhjet e reja do të prodhojnë të njëjtën krizë.

“Me ndryshimin e vetëm, që do të shpenzojmë miliona euro për të larë linjat e kuqe apo retorikën ndaj të tjerëve. Kur Kuvendi nuk funksionon dhe shteti është në pauzë, askush që mban mandat publik nuk është pa përgjegjësi. Dhe askush nuk është i përjashtuar nga pyetja më e thjeshtë publike: çka je duke bërë për zgjidhje?”./Express/