Eugen Cakolli nga KDI, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i ka dhënë veto komunitetit serb.
Por, rikonformoi standardin se Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe të gjithë nënkryetarët..
Ai tha se vendimi nuk i dha të drejtë askujt për bllokadë, përkundrazi thotë ai, ua rikujtoi përgjegjësinë të gjitha palëve, përfshirë deputetët nga komuniteti serb, që të veprojnë në interes të Republikës.
“Në esencë, Gjykata Kushtetuese nuk i dha komuniteteve asnjë ‘veto’ shtesë. Thjesht, rikonfirmoi standardin (e ditur) kushtetues, që Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe të gjithë nënkryetarët. Por kjo nuk nënkupton të drejtë të ndokujt për bllokadë. Përkundrazi, në të njëjtin vendim, Gjykata ua rikujtoi përgjegjësinë të gjitha palëve, përfshirë deputetët nga komuniteti serb, që të veprojnë në interes të Republikës. Pra, e drejta për të propozuar nuk mund të jetë mjet bllokimi apo shantazhi”.
“Në të njëjtën logjikë, edhe nëse nuk do të votohej si nënkryetar ndonjë prej kandidatëve nga partitë shqiptare, Kuvendi do të konsiderohej sërish i pakonstituuar. Prandaj, nuk kemi të bëjmë me “privilegje të serbëve”, por me një standard që vlen për të gjithë – dhe që ka funksionuar pa probleme që nga pavarësia e këndej. Ajo çfarë po ndodh tani është sajesë e qartë për të zvarritur formimin e institucioneve. Ironia është se e gjithë kjo situatë, bashkë me diskursin e pritshëm kundër Gjykatës Kushtetuese, po vjen nga të njëjtët që ia mundësuan Listës Serbe rastin dhe “fitoren” në Gjykatë – me kalkulimet dhe arrogancën e tyre politike”, ka thënë Cakolli.
Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të martën që seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, dhe që ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit. Gjykata e ka arsyetuar vendimin e saj, duke përmendur se ende nuk është zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb. /Gazeta Express