Çakej në pandemi - Gazeta Express
string(16) "cakej-ne-pandemi"

Arben Idrizi

25/03/2020 14:29

Çakej në pandemi

Arben Idrizi

25/03/2020 14:29

Pse Thaçi, Kurti e Mustafa sillen si çakej në kohën më të keqe për qytetarët e tyre? Në kohën kur qytetarët e tyre mund të vdesin në masë, të humbin vendet e punës, të varfërohen, të dëshpërohen dhe të humbin shumë mundësi dhe shpresa për një të ardhme pak më të mirë se e deritanishmja, edhe ashtu e vobekët? A nuk janë pra këta vrasësit shtesë, thua se nuk mjaftonte pandemia?

Shkruan: Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Po e them një gjë qysh në krye, duke e rrahur gozhdën me rul: Hashim Thaçi (mjerisht presidenti i vendit tonë), Albin Kurti (mjerisht kryeministër i vendit tonë) dhe Isa Mustafa (mjerisht kryetar i LDK-së dhe ndoshta president i radhës), janë fatkeqësia e djeshme, sotme, dhe e nesërme e vendit tonë. I pari dhe i treti më shumë e kaluara dhe e tashmja, i dyti më shumë e tashmja dhe e ardhmja.

Rivalët e tyre, që nuk dallojnë aspak prej tyre, tashmë janë në opozitë dhe në pritë, si hiena me gjuhën e zvargur për toke.

Lakmia, etja, pasioni, egoizmi janë ndjenja ndaj të cilave, të gjithë ne, e kemi të vështirë një përballje nga e cila do të dilnim të paprekur. Në jetët tona private, dëmet i paguajmë vetë, arritjet i gëzojmë po aq vetë. Në jetën publike, gjërat janë më ndryshe. Gabimet do t’i paguajnë të tjerët, shoqëria; arritjet duhet të synojnë të mirën që do ta gëzojnë të tjerët, shoqëria.

Në një gjendje ekstreme (luftë, epidemi, fatkeqësi natyrore), nga instinkti i mbijetesës indvidi mund të përfundojë duke bërë akte që në gjendje normale, vetëm po t’i shkonte mendja në to, do të çmendej, e lëre më t’i bënte. Në ato gjendje të jashtëzakonshme, mund të përfundojë duke vrarë, mund të përfundojë duke i braktisur më të dashurit e tij, mund të përfundojë duke tradhtuar, duke gënjyer dhe duke mashtruar. Kur gjithçka të marrë fund, në përgjithësi do të jetë i falur, nëse jo ligjërisht, të paktën moralisht.

Ne sot jemi në një gjendje të jashtëzakonshme, të kapur për fyti nga një pandemi fundi i së cilës ende nuk dihet se kur mund të jetë, aq më pak pasojat. Ne, po them, qytetarët. Ndonjëherë, për ndonjë arsye a pa asnjë arsye, mund të dalim gjatë kohës së ndalim-qarkullimit, të humbur pas mendimeve tona për një moment mund të mos kujdesemi ta mbajmë distancën sociale në dyqan a farmaci (bile ndonjë axhami i vetëkënaqur ia prish nënës tenxheret në ballkon). Për një moment ndoshta shpenzojmë ujë dhe energji më shumë se sa që na nevojitet. Ndonjë marroç pështyn rrugës, siç ka bërë gjithmonë, por tash duke shkaktuar, përveç pështirosjes, edhe frikë. Shoku që na e ka shkaktuar pandemia pra na bën të bëjmë ndonjëherë ndonjë veprim për të cilin do të skuqemi ndërkohë, por me gjasë, në të vërtetë me shpresë, prej të cilit askush s’do të ketë asnjë pasojë.

Por, banditët e çmendur si Thaçi, Kurti e Mustafa, nuk janë në një gjendje më të jashtëzakonshme se e jona, madje, ne e dimë këtë, janë në gjendje më të mirë se ne, qytetarët. Edhe po të zgjasë me vite pandemia, asnjëri s’do të mbetet keq, për asgjë, materialisht. Pra, nuk janë në luftë për asnjë mbijetesë (përveç nëse i ngallmon virusi, që gjithsesi nuk bën përjashtime). Nuk kanë nevojë të dalin vetë në dyqan as në farmaci. Nuk kanë asnjë punëdhënës që t’i nxjerrë nga puna një ditë. Nuk punojnë në biznese private që i mbajnë në të zezë, pa ua paguar kontributet pensionale, duke i detyruar të punojnë gjashtë ditë në javë dhe me orar të zgjatur. Nuk jetojnë me social. Nuk janë në pritje të pashtershme për një vend pune.

Nëse u teket të dalin jashtë për ajër të pastër, mund ta bëjnë këtë në emër të popullit, të cilit ia kanë ndotur ajrin.

Pse atëherë sillen si çakej në kohën më të keqe për qytetarët e tyre? Në kohën kur qytetarët e tyre mund të vdesin në masë, të humbin vendet e punës, të varfërohen, të dëshpërohen dhe të humbin shumë mundësi dhe shpresa për një të ardhme pak më të mirë se e deritanishmja, edhe ashtu e vobekët? A nuk janë pra këta vrasësit shtesë, thua se nuk mjaftonte pandemia?

Sepse – tash po e rrah me rul gozhdën në skajin tjetër – janë të ndyrë. Për këtë, se këtë e bën çakalli, ushqehen me njëri-tjetrin, edhe dhe sidomos në pandemi.